Kurti mbetet kryeministër në detyrë – disa opsione për Qeverinë e re

Valbona Bytyqi 26 March 2020 19:05

Në duar të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është epilogu i situatës së krijuar pas rrëzimit të Qeverisë të udhëhequr nga Albin Kurti.

Para vetes, sipas njohësve, Hashim Thaçi ka disa mundësi.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se presidenti duhet të kërkojë një emër të ri nga Lëvizja Vetëvendosje, raporton KOHA.

Sipas tij, në rast se një gjë të tillë Vetëvendosje e refuzon, atëherë kalohet tek partitë e tjera.

Në anën tjetër, sipas Arton Demhasajt, i takon Vetëvendosjes të zgjasë propozimin për mandatarin e ri, e kështu, pas një kohe të detyrojë presidentin të shpallë zgjedhjet e reja.

Me gjithë votimin për rrëzimin e Qeverisë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka bërë të ditur se nuk do t’i tërheqë ministrat nga kabineti qeveritar.

“Në kohën kur po ballafaqohemi me pandeminë e COVID-19, si kryetar i LDK-së nuk do t’i tërheqë njëanshëm ministrat dhe zëvendësministrat e LDK-së nga detyrat e tyre në Qeverinë në dorëheqje. Pasi që koalicioni VV-LDK ka rënë mbrëmë me mocion votëbesimi me votat e mbi 2/3 të deputetëve, mbetet në vullnetin e kryeministrit në detyrë, z.Kurti, se a do të vazhdojë të punojë me ta (ministrat) gjatë kësaj gjendjeje emergjente, derisa të zgjidhet Qeveria tjetër, apo do të bëjë veprime të tjera, ashtu siç e liroi z. Avdullah Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë mbrëmë para mesnate”, ka shkruar ai në Facebook.

Vazhdimin e punës, përmes një postimi në Facebook, e ka konfirmuar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i Qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia e ambasadorit Grenell: Në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial. Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar. Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër, se Kosova është shtëpia jonë”, ka shkruar ai.

Rrëzimi i Qeverisë së Kurtit është iniciuar nga partneri i Vetëvendosjes, LDK-ja.

Mocioni i mosbesimit është përkrahur nga 82 deputetë e është kundërshtuar nga 32 të tjerë, derisa një ka abstenuar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme