Arbëri

Sveçla: PLAN i kobshëm i të korruptuarve

Foto: Qeveria e Kosovës

Ushtruesi i detyrës në MPBAP, Xhelal Sveçla, me akronimin PLAN, i është drejtuar PDK-së, LDK-së, AAK-së e Nismës.

“PLAN i kobshëm i të korruptuarve”, shkruan ai.

“Sot, me një ngritje dore po tentohet të përmbyset dhe të shkelet vullneti i qytetarëve i shprehur me 6 tetor. Po tentohet të shtypet demokracia e zgjedhjeve me marrëveshje të prapaskenave. Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë nevojë më shumë se kurrë për institucione që ofrojnë siguri dhe mirëqenie e jo pasiguri dhe papërgjegjësi. Sot kur të gjitha shtetet e botës janë mobilizuar për ta përballuar pandeminë, PLAN-i pra PDK, LDK, AAK dhe Nisma kanë vetëm një qëllim, ta largojnë Qeverinë Kurti që po del të jetë pengesa kryesore për ta, dhe të shtyjnë përpara agjendat e tyre të përbashkëta”, ka shkruar Sveçla.

Ai thotë se “Ndarja e Kosovës është vetëm njëri nga planet që ka PLAN-i. Planet e tjera kanë të bëjnë me rikthimin e hajnave në borde e në zyra shtetërore, dhe garantimi i tyre se kurrë nuk do të dënohen”.

“Por planet e PLAN-it do t’i rrëzojë populli i Kosovës. Populli e ka marrë tashmë vendimin, dhe nuk dëshiron as t’ua shohë më fytyrën të korruptuarve. Nuk do ta ndani dot Kosovën, nuk do t’i gëzoni paratë e fituara nga korrupsioni”, shkruan ai.