Arbëri

Isufi: Komisioni shtetëror për demarkacion me Malin e Zi e ka paraqitur dorëheqjen

Florim Isufi, gjeograf dhe anëtar i Komisionit Shtetëror për shënimin e vijës kufitare Kosovë- Mali i Zi, ka njoftuar se kanë paraqitur dorëheqje nga ky komision.

Përmes një postimi në Facebook, Isufi ka thënë se kjo ka ardhur pas neglizhimit të punës së komisionit nga politika.

Ai ka thënë se “Dorëheqja është pasoj edhe e koalicionit të ri, ku pjesë e qeverisë është një parti e cila me egërsi të pa parë e mbronte delimitimi/’demarkimin’ e vijës kufitare sipas marrëveshjes së vitit 2015”.

“Komisioni duke i parë gjitha këto, dhe jo angazhimin e politikës së jashtme të Kosovës nga qeveria e kaluar për organizimin zyrtar të takimeve të komisionit të përbashkët për fillimin e korrigjimit brenda afatit të caktuar me marrëveshje, dhe duke parë gatishmërinë e kësaj politike për të neglizhuar punën praktike të këtij komisioni, ne që më datë 11.03.2020, kemi paraqit dorëheqjen nga ky komision pran kryeministrit të Republikës së Kosovës. Tekstin e tërësishëm me të gjitha hollësitë dhe ngjarjet e zhvilluara nga formimi i komisionit deri me datën e dorëheqjes do t’i publikojmë në kohë më të mirë, atëherë kur rreziku shëndetësor për popullsinë e Kosovës do të eliminohet tërësisht”, thuhet në njoftim.

Ai thotë se “për deri sa komisioni i autorizuar me vendim të veçantë të qeverisë, mblidhte, sistematizonte, përpunonte dhe analizonte informata të llojeve të ndryshme, ministri i punëve të jashtëm, shkonte në Podgoricë dhe deklaronte se kufiri është “demarkuar” drejt, saktë dhe pa probleme”.

Sipas Isufit, joserioziteti i politikës kosovare karshi politikës së shteteve fqinje, e dëmtonte punën e komisionit për përmirësimin e gabimeve të bëra nga komisioni paraprak.

“Përkundër vështirësive, komisioni arriti që të sigurojë dhe publikojë në raportin e veçantë materiale me mbi 800 faqe, të cilat ishin zyrtare dhe të krijuara nga institucionet relevante shtetërore dhe politike të Kosovës. Raporti në gjuhen angleze tani është i vendosur në të gjitha bibliotekat kryesore të shumicës së shteteve perëndimore, si dhe në bibliotekën e Kongresit Amerikan. Këto dëshmi të cilat në një sistem socialist me një censurë të madhe dhe kontroll të jashtëzakonshëm, dëshmonin dhe dëshmojnë së kush ka administrua me atë territor, kush ka shpenzuar buxhet për zhvillim dhe mbikëqyrje të atij territori etj”, thuhet në njoftim.

Isufi thotë se “përkundër publikimit të këtyre dokumenteve dhe prezantimit publik, prapë u gjenden disa amator qëllim keq që ende nuk dihet arsye pse u rreshtuan në pjesën antikombëtare dhe u avancuan si avokat të Malit të Zi nga radhët shqip folës të Kosovës”, raporton KOHA.

Ndërkaq Shpejtim Bulliqi, kryetar i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare, në një intervistë në Interaktiv të KTV-së pati thënë se e ka pezulluar këtë pozitë dhe po pret një përgjigje nga Agjencia Kundër Korrupsion nëse ka konflikt interesi mes kësaj pozite dhe asaj të deputetit.

“Faktikisht jam zgjedh deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kam çuar kërkesën te Agjencia Anti-Korrupsion për të parë nëse ka konflikt interesi apo jo. Derisa nuk marr përgjigje unë kam pezulluar punën time në atë komision, por deri kur kemi punuar është bërë punë e mirë. Është bërë punë në segmentin e kufirit verior. Kemi dal në terren. Kemi përmbyllur pjesën prej trekufirëshit mes Leposaviq, Podujevë, e deri në Karaçevë. E kemi lëvizur e kemi analizuar të tërin. Është bërë punë e mirë në hulumtimin dhe grumbullimin e dokumentacioneve që mendohet se mund të ketë nevojë komisioni për të diskutuar për demarkimin e kufirit me Serbinë”, ka thënë ai.

Tash i njëjti është kandidat për kryetar të Podujevës.