Vendet anëtare të BE-së janë pajtuar më në fund që të merret vendimi për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe ky vendim do të formalizohet nesër në video-konferencën e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së me procedurë të shkruar.
Procedura e miratimit të vendimeve në BE ka pësuar ndryshime të mëdha, si pasojë e krizës së shkaktuar nga koronavirusi, që ka pamundësuar edhe punën normale edhe të institucioneve të BE-së.
Ky vendim për nisjen e negociatave me këto dy shtete kandidate do të jetë një prej vendimeve më të rëndësishme të miratuara në këtë mënyrë.
Në dy takimet e fundit ambasadorët e vendeve anëtare të BE-ë kishin rënë dakord për versionin e fundit të tekstit të vendimit për hapjen e negociatave të përgatitura nga presidenca Kroate e BE-së. Diplomatët e BE-së e kanë vlerësuar këtë si një sukses të presidencës kroate, e cila, në këto kushte, ka vazhduar ta shtyjë procesin e zgjerimit të BE-së si prioritet.
Vendimi do të merret në takimin e Ministrave të BE-së ndërsa më vonë ai duhet të marrë pëlqimin edhe të shefave të shteteve apo qeverive në “Këshillin Evropian”. Kështu, edhe pasi ta kalojë procedurën në Këshillin e BE-së, pra në nivel ministrash, ky vendim nuk do të formalizohet shpejt, pasi BE tashmë ka vendosur ta shtyjë për më vonë takimin e “Këshillit Evropian”, të paraparë për këtë javë.
Në tekstin e përgatitur thuhet se “në dritën e progresit të arritur në reforma dhe përmbushjen e kushteve të caktuara në mënyrë unanime nga Këshilli në qershor të vitit 2018, Këshilli, me kusht të dhënies së pëlqimit nga Këshilli Evropian, vendos të hapë negociatat e anëtarësimit me Republikën e Shqipërisë”.
Në BE me “Këshillin Evropian” mendohet në takimet e krerëve të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare ndërsa me “Këshilli” mendohet në nivel të ministrave. Vëtëm pasi të japin pëlqimin liderët, vendimi konsiderohet i miratuar.
Kësaj radhe, siç kanë thënë diplomatët e BE-së, nuk ka më pengesa pos atyre që ka paraqitur kriza e koronavirusit. Presidenca Kroate ka punuar shumë që të arrihet ky sukses dhe ka pasur madje ambicie që të caktohet edhe fundi i qershorit si afat deri kur duhet të miratohet Korniza Negociuese dhe të nisin negociatat. Por tash, vendimi do të jetë pa caktuar afate kohore, ndërsa në rastin e Shqipërisë janë caktuar edhe kushtet të cilat duhet t’i përmbushë para se të nisin negociatat që zhvillohen në të ashtuquajturat “Konferencat ndërqeveritare”, që është format i takimeve të vendit kandidat me vendet anëtare të BE-së ku hapen dhe mbyllen të gjithë kapitujt negociues.
“Para konferencës ndërqeveritare, Shqipëria duhet të miratojë reformen zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODHIR-it, të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi, përfshirë sigurimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, dhe të finalizojë formimin strukturave speciale të anti-korrupsionit dhe anti-krimit”, thuhet në draftin e vendimit për Shqipërinë.
Më tej ndër kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë para se të nisin negociatat janë forcimi i përpjekjeve në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe përmes bashkëpunimit me shtetet anëtare dhe përmes planit të veprimit për të adresuar rekomandimet e Task Forcës për aksionet financiare.
Nga Shqipëria kërkohet po ashtu të merret me fenomenin e kërkesave të pabazuara për azil dhe të sigurojë riatdhesimin e tyre. Kërkohet që ta ndryshojë ligjin për mediat, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias që mbeten si prioritet i rëndësishëm.
Këshilli nënvizon se Komisioni Evropian do të vazhdojë të raportoj për progresin në këto çështje kur të prezantohet korniza negociuese. Po ashtu i bëhet ftesë Komisionit Evropian të vazhdojë monitorimin edhe në përmbushjen e kushteve të mëhershme.
Teksti i njëjtë për hapjen e negociatave është edhe për Maqedoninë e Veriut por jo me aq kushte shtesë sa për Shqipërinë. Në kornizën negociuese, që është edhe dokumenti bazë sipas së cilit zhvillohet procesi negociator, duhet të përfshihen edhe elementet e metodologjisë së re në procesin e zgjerimit që është paraqitur nga Komisioni Evropian. Ky vendim, kur të bëhet edhe zyrtarë, konsiderohet si një sukses dhe madje edhe kthesë në procesin e zgjerimit dhe një dëshmi se BE-ja do të vazhdojë të punojë në këtë drejtim përkundër sfidave të mëdha që janë paraqitur ndërkohë.