Arbëri

PDK: Me largimin e “Contour Global-it”, qeveria Kurti i dha goditjen e radhës SHBA-së

Descriptive Text

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron humbje të madhe vendimin e kompanisë amerikane “Contour Global” për t’u larguar përfundimisht nga Kosova si dhe heqjen dorë nga ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”.

Sipas PDK-së, “kjo është një goditje e madhe për ekonominë, fuqinë e ardhshme energjetike të Kosovës dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat sot janë në stadin më të keq të tyre”.

“Sjellja e Qeverisë Kurti në raport me njërin prej investimeve më të mëdha amerikane në vendin tonë është e papranueshme dhe po tregon që në javët e para për drejtimin e mbrapshtë që ka marrë. Fillimisht u refuzua kërkesa e qeverisë amerikane për heqjen e taksës megjithë vendosjen e bllokadës për fondet amerikane dhe paralajmërimet për largimin e trupave amerikane nga Kosova. Ky kryeministër dhe kjo qeveri VV – LDK po deklarohet publikisht kundër investimeve dhe interesave amerikane në vendin tonë”, thotë PDK-ja në reagimin e saj.

Mungesa e vullnetit politik për ta shtyrë përpara këtë projekt të madh investimi, sipas PDK-së, flet edhe për mungesën e vizionit të qeverisë së tanishme për të përkrahur investimet e huaja në Kosovë.

“Kompania amerikane ‘Contour Global’ kishte planifikuar të investonte 1.3 miliard për ndërtimin e termocentralit të ri gjatë pesë viteve të ardhshme, si dhe do të hapeshin mijëra vende pune dhe shumë angazhim për kompani lokale kosovare”, përfundon reagimi i PDK-së.

Kompania "Contour Global" ka planifikuar të tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavatë.

Siç raporton Reuters, sipas një njoftimi të "Contour Global"-it, arsye për këtë është se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen. Si arsye ka përmendur edhe ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë.