3 perditesime
21:50

Gashi: Komuna e Prishtinës ka marrë të gjitha masat për mbrojtjen nga koronavirusi

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, tha në Rubikon të KTV-së se kjo komunë përballet me mungesë të masave mbrojtëse siç janë dorëzat, maskat dhe dezinfektuesit.

Ai tha se kjo mungesë është për shkak të rritjes së çmimeve por edhe për faktin se këto pajisje janë në mungesë në treg.

“Komuna e Prishtinës është komuna më e ngarkuar sa i përket ofrimit të shërbimeve shëndetësore, në këtë komunë ofrohen 8000 mijë shërbime në ditë. Problemi të cilin do të doja të specifikoj është ofrimi i masave mbrojtëse ose pajisjeve, me të cilat jemi përballur me sasi minimale dhe furnizime modeste nga niveli qendror. Sot kemi marrë një furnizim nga Ministria e Shëndetësisë, ky furnizim nuk ka qëndrueshmëri të madhe por shpresoj që ditëve në vazhdim do të ketë furnizime të tjera. Rritja e çmimeve ka qenë shqetësimi kryesor i javëve të fundit dhe mungesa e produkteve. Edhe ministria e shëndetësisë ka pasur probleme me furnizim për shkak të mungesës dhe rritjes së çmimeve”, tha Gashi.

Gashi shtoi se Komuna e Prishtinës është në pikën më të lartë të organizimit dhe janë duke u mbajtur ligjërata me punëtorët e institucioneve që punojnë në hapësira publike.

“Unë mendoj që është bërë punë e madhe sa i përket sistemit shëndetësor në përgjithësi por tani jemi në pikun më të madh të angazhimit sa i përket të gjitha masave që i kemi marrë dhe vazhdojmë t’i marrim. Si komunë kemi filluar të mbajmë ligjërata në institucionet që kanë të bëjë më shumë me hapësirat publike. Prej nesër organizohen ligjërata me punëtorët e trafikut urban, janë ligjërata të përgatitura nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik që ligjërohen dhe mbahen nga punëtorët e kujdesit parësor shëndetësor, të njëjtat janë mbajtur në shkolla dhe do të mbahen nga punëtorët e Trafikut Urban ku janë mbi 200 punëtorë që do të trajnohen se si të mbrohen nga ky virus”, ka thënë Gashi.

21:36

Ramadani: Të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike duhet të bartin maska, popullata e përgjithshme jo

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani ka thënë se jo të gjithë duhet të bartin maska.

Sipas tij vetëm të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike duhet të bartin maska.

“Të gjitha këto masa duhet t’i përmbahen individët veç e veç. Në njëfarë mënyre ata të kategorive të veçanta: të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, që e kanë shëndetin e komprometuar duhet të bartin maska. Popullata e përgjithshme s’ka nevojë të bartë maska, thjesht duhet të kujdesen për higjienën dhe duke qëndruar në shtëpi aq sa është e mundshme dhe të mos dalin në vende ku ka shumë njerëz”, ka thënë Ramadani.

Sipas tij kjo sëmundje do të ndërrojë civilizimin dhe do të sjellë risi në aspektin e mentalitetit.

Ai thotë se tashmë ka nisur një rënie e lehtë në pikën e origjinës dhe së shpejti do të fillojë rënia edhe në Evropë, derisa ka lavdëruar Qeverinë për masat e ndërmarra.

“Tashmë ka filluar në një rënie të lehtë dhe besojmë se së shpejti do të ketë rënie. Në vendin e origjinës tashmë ka nisur rënien, kurse në vendet e Evropës praktikisht e ka kulmin dhe pas disa javësh do të fillojë rënien. Kurse në Kosovë ende nuk ka filluar, pra ato nuk janë të njëjta në asnjë shtet. Kosova është ndër shtetet e para në botë që ka ndërmarrë masat ende pa shpërthyer koronavirusi”, ka thënë Ramadani.

Sipas tij me vendimet e sotme Qeveria ka ndihmuar që vala goditëse të jetë më e dobët se kudo tjetër.

Tutje ai ka thënë se nuk duhet të ketë panik, por vetëm të ndërmerren masat nga të gjithë.

“Kjo sëmundje ka një fatalitet 20 herë më të vogël se ethet hemorragjike krime kongo. Kjo do të thotë që njerëzit të mos kenë panik, por të ruhen dhe të mos qëndrojnë në vende ku ka qarkullim të madh të njerëzve. Më së paku bëhet për shkak të fëmijëve, pasi ata kalojnë më së miri, e kjo është shumë e mirë për ne. Këto masa janë ndërmarrë që të mos preken fëmijët pasi janë më të dendur”, ka thënë Ramadani.

21:26

Domi: Edhe një vjet e gjysmë apo dy nuk do të ketë vaksinë kundër koronavirusit

Mjeku kosovar, Arban Domi, i cili është duke punuar në SHBA për zhvillimin e vaksinës kundër koronavirusit ka thënë në Rubikon të KTV-së se të paktën edhe një vit e gjysmë apo dy nuk do të ketë vaksinë kundër koronavirusit.

Ai thotë se të paktën edhe dy muaj vaksina nuk do të testohet.

“Për momentin po punojmë për përgatitjen e vaksinës në laborator dhe e kemi futur në një platformë virale e cila do të përdoret për imunizimin e njerëzve. Kemi të paktën edhe dy muaj punë para se ajo të testohet. Në Kinë tashmë po testohen disa medikamente që kanë qenë efikase për rastet e ebolës, por ende është në testimet klinike”, ka thënë Domi.

Domi shton se megjithatë në dy – tre muajt e ardhshëm do të ketë medikamente që do të jenë efikase për të parandaluar këtë epidemi.

“Vaksinën për imunizimin e njerëzve për mendimin tim nuk do të jetë gati për një vjet e gjysmë apo dy, mirëpo ndërkohë do të ketë medikamente që do të jenë shumë efikase për të parandaluar epideminë, në këto dy-tre muajt e fundit”, ka thënë Domi.

Ai ka thënë se duhet të bëhet kujdes me higjienën, dhe të evitohet vendet publike me shumë njerëz.

“Njerëzit duhet të përkujdesen për higjienën personale, ndërkohë duhet të evitohet vajtja në vende publike të mbyllura. Moshat e thyera duhet të evitojnë daljet në publik dhe të bëjnë shumë kujdes”, u shpreh ai.

20:42

Ramadani: Nuk duhet të ketë panik për koronavirusin, institucionet janë të përgatitura

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani duke folur për masat që i ndërmori qeveria e Kosovës sot, tha se Kosova është fituese e madhe historike në marrjen e masave parandaluese.

“Masat parandaluese që u votuan në Qeverinë e Kosovës janë një fitore e madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës në luftën kundër koronavirusit”, tha Ramadani.

Ai tha se koronavirusi i ka tejkaluar suazat e dimensionit të dy koronaviruseve të mëhershme dhe OBSH me të drejtë e ka shpallur sot pandemi.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë me të drejtë e ka shpallur koronavirusin pandemi, dhe është një koincidencë e madhe që Kosova në të njëjtën ditë ndërmori masat e duhura pa u paraqitur ende asnjë rast”, ka thënë ai.

Sipas Ramadanit, 82 persona janë testuar për koronavirus në Kosovë, 7 vetëm sot dhe QKUK ka pajisjet më të sofistikuara të cilat me shumë saktësi e testojnë koronaviorusin.

Ai tha se, “nuk duhet të ketë panik sepse institucionet shëndetësore janë të përgatitura”.