Arbëri

Osmani në takim me delegacionin gjerman-francez: Qeveria, e vetmja që ka legjitimitet të drejtojë dialogun me Serbinë

Descriptive Text

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot një delegacion të Gjermanisë dhe të Francës, të udhëhequr nga këshilltari i kancelares Angela Merkel, Jan Hecker dhe këshilltari i Presidentit Emmanuel Macron, Emmanuel Bonne.

Në takimin me ta, Osmani nënvizoi edhe një herë përkushtimin e Kosovës që të zhvillojë politika të fqinjësisë së mirë.

"Jetësimi i marrëveshjeve të nënshkruara si dhe përafrimi drejt marrëveshjes përfundimtare që rezulton me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë interes i qytetarëve të Kosovës", tha ajo. 

Kryetarja Osmani potencoi se procesi i dialogut duhet të udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës, ngase kështu e ka përcaktuar kushtetuta e vendit dhe vendimi i Gjykatës kushtetuese, por ky është edhe vullneti i qytetarëve të Kosovës, të cilët në zgjedhjet e 6 tetorit e kanë përcaktuar qartë se kush duhet t’u prijë proceseve në vend. Për më tepër, ajo shtoi se edhe Serbia duhet të tregojë se është e interesuar në fqinjësi të mirë dhe në normalizim të raporteve me Kosovën, duke ndërprerë kampanjën ilegale të çnjohjeve dhe duke larguar barrierat jotarifore që ka vendosur në raport me vendin tonë.

Kryetarja Osmani shprehu gatishmërinë që ta vazhdojnë bashkëpunimin me partnerët tanë ndërkombëtarë, por kërkoi edhe përkrahje në drejtim të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Sipas saj, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për këtë proces ndërsa Qeveria dhe institucionet e zgjedhura pas 6 tetorit po tregojnë përkushtim maksimal në luftën kundër korrupsionit.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Francës dhe të Gjermanisë, Bonne dhe Hecker rikonfirmuan përkushtimin e vendeve të tyre për ta ndihmuar dhe mbështetur Kosovën në një proces të suksesshëm të dialogut dhe në procesin e integrimit në BE.