Arbëri

MASHTI mirëpret kontributin e ASHAK-ut për përmirësimin e sistemit të arsimit

Descriptive Text

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka vizituar Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku është pritur nga kryetari Mehmet Kraja dhe Kryesia e Akademisë.

Përmes një njoftimi për media u bë e ditur se Kraja e informoi Bajramin për punën dhe aktivitetet e ASHAK-ut, me fokus të veçantë rreth një dokumenti/platforme që po e përgatit Akademia, në bashkëpunim me ekspertët e fushës edhe jashtë akademisë.

Dokumenti në fjalë ka të bëjë me çështjen e sistemit të arsimit në Kosovë, ku do të identifikohen të metat dhe vështirësitë me të cilat po përballet sistemi, si dhe do të jepen rekomandime se si të përmirësohet ai.

Në komunikatën e dërguar nga Ministria thuhet se Bajrami e mirëpriti kontributin e ASHAK-ut dhe theksoi se përfundimet që do të dalin nga ky dokument, do të shërbejnë si udhërrëfyes dhe do të trajtohen me kujdes nga ministria, në mënyrë që MASHTI në bashkëpunim me ASHAK-un dhe gjithë komunitetin e ekspertëve të arsimit të punojnë së bashku për përmirësimin e sistemit të arsimit.

Në këtë takim, ministrja Bajrami dhe kryetari Kraja u dakorduan që të intensifikojnë bashkëpunimin mes dy institucioneve.