Arbëri

Shkaku i koronavirusit, Kosova anulon fluturimet e lidhura me Italinë veriore

Kosova ka vendosur të anulojë të gjitha fluturimet vajtje-ardhje nga zonat e prekura nga koronavirusi në Itali.

Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se këtë rekomandim emergjent e kanë marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, si refleksion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane për Italinë veriore.

Sot Italia vendosi në karantinë rreth 16 milionë banorë për shkak të koronavirusit.

Sot, në ora 12:40 kemi pranuar rekomandim emergjent nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për anulimin e të gjitha fluturimeve që vijnë nga zonat epidemike të Italisë së Veriut - si refleksion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane në betejën kundër koronavirusit. Si rrjedhojë, kam kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vijnë nga kjo zonë epidemike e cilësuar si zonë me risk të lartë. Fluturimet - për e nga Italia Veriore - janë ndërprerë. Ndjejmë keqardhje për masat e marra - por në situatën e tanishme nuk kemi alternativë”, ka thënë Abdixhiku në një postim në Facebook.

Ai ka theksuar se është në kontakt të ngushtë me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për të koordinuar kontrollin në Aeroport dhe asistencën eventuale ndaj udhëtarëve në zonat e rrezikshmërisë së lartë.