Pavarësisht se gjatë viteve të fundit është investuar shumë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore kombëtare dhe rrugëve rajonale, qeveria Kurti ka konsideruar se nevojat e vendit për infrastrukturë të transportit mbeten të mëdha.
Theksin e ka vënë tek lidhja më e mirë dhe më e shpejtë mes rajoneve.
Në Programin Qeverisës, ekzekutivi ka theksuar se do të trajtojë kontratat dhe projektet e dëmshme; do të rishikojë dinamikën e projekteve ekzistuese infrastrukturore, si: Vazhdimi i projektit të zgjerimit të rrugëve nacionale Prishtinë – Pejë (M9) dhe Prishtinë – Mitrovicë (M2); Zgjerimi i rrugës nacionale Prishtinë - Podujevë dhe rrugës nacionale Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, duke i përshpejtuar ato, raporton Koha.
Vëmendje të veçantë ka paraparë t’i kushtojë: Përfundimit të autostradës Besi – Merdare; Zgjerimit të rrugëve nacionale Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren, përfshirë rrugët qarkore nëpër qytete; Ndërtimit të aksit rrugor Prizren-Tetovë (pjesa e Kosovës) përmes tunelit; Ndërtimit të aksit rrugor Gjakovë-Shkodër (pjesa e Kosovës); Rehabilitimit të rrugës Istog-Klinë, përfshirë rrugën qarkore në Klinë; Rehabilitimit të rrugëve kombëtare Qafë Duhël-Shtime-Ferizaj, që lidh korridorin Lindje-Perëndim dhe autostradën Prishtinë-Shkup; Rindërtimit dhe standardizimit të rrugës ndërkombëtare “Gjilan-Kumanovë”; Ndërtimit të aksit rrugor Deçan-Plavë (pjesa e Kosovës); Ndërtimit të Unazës së Jashtme të Prishtinës; Mbështetjes së komunave të Kosovës në realizimin e projekteve rajonale në infrastrukturën rrugore; Hartimit të studimit gjithëpërfshirës për të përcaktuar rehabilitimin dhe ndërtimin e rrugëve rajonale; Aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Organizatat Ndërkombëtare të Transportit Rrugor (ITF, TIR, ADR, AETR); Shqyrtimin e mundësive të hapjes së kyçjeve shtesë për vendbanimet në autostradat ekzistuese.