Arbëri

Aktivistët e VV-së përplasen me policinë pas shkrimit të grafiteve në muret e Tiranës

Policia e Shtetit në Shqipëri dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje janë përfshirë në konflikt, të enjten në Tiranë.

Arsyeja e përplasjes ka të bëjë me shkrimin e grafiteve në muret e godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nga ana e aktivistëve të VV-së, në mbrojtje të grave nga dhuna e burrave dhe injorimi i tyre nga ana e policisë.

Aktivistët e VV-së kanë shkruar: “Gruaja denoncon, policia injoron”. Ndërkohë, kjo gjë ka shkaktuar konfliktin me tyre dhe policisë, të cilët u kanë kërkuar të largohen.

Aktivistët e VV-së, Qendra në Shqipëri, e kanë shpallur marsin si muaj angazhimi për gratë e vajzat, me barazinë si pikënisje e vazhdimisht si synim.

Sipas aktivistëve të VV-së, 8 Marsi nuk ka përse të shërbejë si datë për qetësim të ndërgjegjes, por për shqetësim e organizim kolektiv përgjatë gjithë vitit.
Aktivistja Evi Veliu ka denoncuar para mediave dhunën e ushtruar ndaj grave vitin e kaluar, gjatë të cilit 4629 gra në Shqipëri kanë raportuar në polici dhunën ndaj tyre. 12 gra janë vrarë vjet, ndërsa 5 gra të tjera janë vrarë që në fillim të këtij viti. Veliu shtoi se Policia dështoi të mbronte edhe gra që kishin urdhër mbrojtjeje.

“Institucionet nuk po ofrojnë siguri dhe mbrojtje për gratë e rrezikuara. Nuk po mbajnë përgjegjësi për dështimin e hallkave të tyre. Kjo është rrjedhojë e mendësisë dhe politikave të gabuara që janë ngulitur në institucione dhe në kulturën socio-politike. Përveç diskriminimit shtresor dhe pabarazisë ekonomike, gruas i shtohet edhe shpërfillja institucionale”, thuhet në një deklaratë të VV-së, Qendra në Shqipëri.

“Pas deklaratës për media, aktivistet dhe aktivistët kanë vijuar me aksionin simbolik vetëdijesues ku kanë vendosur një mesazh me grafiti në murin e jashtëm në hyrje të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në mesazh shkruhej: Gruaja denoncon – policia injoron. Policia e ka tensionuar situatën duke tentuar të ndalojë aktivistë të ndryshëm të Lëvizjes dhe duke i ndjekur ata në rrugë edhe pas aktivitetit, por pa sukses”, sqaron deklarata e VV-së.