Arbëri

Krasniqi: Kosova shfrytëzohet si transit nga të ikurit nga Siria

Për fluksin e madh të refugjatëve sirianë në Kosovë, sot në “Express Intervistën” në Kohavision Valon Krasniqi, Drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në MPB, tha se në valën e parë të të ikurve nga Siria, Kosova nuk ishte prekur nga ky fluks.

Ata gjetën një shteg tjetër për të kaluar nëpër shtetet e BE-së, dhe në atë kohë janë prekur Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Por, Krasniqi tha se tani ka rritje të numrit të azilkërkuesve që nga viti 2018 kur në Kosovë, azil kërkuan 600 persona, kurse në vitin 2019 pati rreth 2100 migrantë që u strehuan në Kosovë.

“Në vitin 2018 patëm rreth 600 kërkesa për azil, kurse më 2019 në Kosovë kërkuan azil rreth 2100 migrantë, kryesisht nga Siria, por edhe nga vende tjera. Kosova, sikurse edhe vendet tjera, po shfrytëzohet për transit. Ata kërkojnë azil fillimisht. Ata më pas akomodohen nëpër qendrat e azilit. Se po e shfrytëzojnë Kosovën si transit dëshmohet nga qëndrimi i tyre në Kosovë. Ata qëndrojnë 12-14 ditë këtu. Brenda 7 ditësh, ata pajisen me letërnjoftim, dhe me këtë ata kanë të drejtë të lëvizin nëpër Kosovë. Ai letërnjoftim s’ka afat, mund zgjas deri në 9 muaj. Ka ndonjë rast që qëndron më gjatë, që u japim mbrojtje plotësuese, por është numër shumë i vogël. Trendi i azilkërkuesve ka vazhduar me rritje edhe për këtë vit. Deri më tani janë mbi 1000 mijë migrantë nga fillimi i vitit”, tha Krasniqi, raporton Koha.net.

Ai tha se efektet e hapjes së kufijve nga Turqia s’mund të vërehen menjëherë, por tha se ato mund të vërehen pas disa javësh në vendin tonë.

Krasniqi thotë se disa tentojnë të shmangin policinë e Kosovës për të mos u regjistruar fare në vendin tonë, por tha se Policia ka shtuar kontrollet në kufirin me Shqipërinë, “sepse mbi 90 për qind e migrantëve vijnë nga territori i Shqipërisë”.

Rruga kryesore e Ballkanit Perëndimor është Greqi-Shqipëri-Mali i Zi, por nga viti 2019 po shfrytëzohet edhe Kosova.

“Maqedonia i ka shtrënguar masat në kufirin me Greqinë, dhe për këtë arsye ata kanë gjetur shtegun tjetër, Shqipërinë”, u shpreh Krasniqi.

Ai thotë se në qendrat për azil, azilkërkuesve u ofrohen kushte të mira, përpos atyre esenciale, u ofrohen edhe kurse për kompjuterë e të tjera. Thotë se UNHCR-ja ofron ndihmë të madhe në këto qendra.