Arbëri

Kurti letër Borrellit dhe Von Der Leyenit, i kërkon BE-së mekanizëm monitorimi të marrëveshjeve Kosovë-Serbi

Foto: Koha

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka shkruar letër Presidentes së Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen, si dhe Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë/Nënkryetar i Komisionit Evropian, z. Josep Borrell Fontelles, të cilët i ka informuar për objektivat dhe qëllimet e Qeverisë së re.

Në letrat drejtuar tyre, ai i ka njoftuar ata për hapat e qeverisë së tij drejt heqjes së taksës për produktet serbe dhe boshnjake, duke e theksuar në të njëjtën kohë rëndësinë e një marrëveshjeje politike midis Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura.

"Në përputhje me këtë zotim, duke filluar nga 15 marsi, ne do të fillojmë të heqim tarifat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina që u vendosën nga qeveria e kaluar. Fillimisht ne do t'i heqim tarifat mbi lëndën e parë. Kjo është shenjë e vullnetit të mirë diplomatik dhe e angazhimit tonë për rifillimin e dialogut me Serbinë. Shpresojmë që Serbia t’i përgjigjet në mënyrë reciproke këtij vendimi; në këmbim të kësaj presim që Serbia t'i heqë të gjitha barrierat e mbetura jotarifore për tregti me Kosovën, si dhe t'i jap fund fushatës së saj të çnjohjeve kundër Kosovës", shkruan ai. 

Kurti në to në të njëjtën kohë ka kërkuar që BE-ja dhe SHBA-ja të krijojnë mekanizma monitorimi dhe sanksionimi, për t’u siguruar që të dyja palët do t’i respektojnë zotimet e tyre.

Në letra, kryeministri Kurti po ashtu i është referuar çakordimit në Politikën e Jashtme.

“Gjatë mandatit të qeverisë së mëparshme ka pasur mungesë koordinimi midis përfaqësuesve të Republikës së Kosovës në lidhje me rolet e tyre individuale dhe qëllimet në dialogun me Serbinë. Kjo krijoi mungesë të qartësisë institucionale dhe asaj politike. Qeveria ime zotohet t'i jap fund kësaj. Si Kryeministër, unë kam mandatin ekskluziv kushtetues, vullnetin politik dhe detyrën ligjore të marr përgjegjësinë për përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë diplomatik. Mezi pres të punoj së bashku me ju dhe me përfaqësuesit e BE-së për t'i çuar më tej interesat tona të përbashkëta dhe për ta çuar përpara këtë proces”, shkruan ai.