Arbëri

Shkëmbimi tregtar Kosovë – Shqipëri, pak progres e shumë pengesa

Shkëmbimi tregtar Kosovë – Shqipëri është rritur në dy vitet e fundit, por ka shumë më shumë mundësi që ky të jetë edhe më i madh.

Megjithëse është shënuar progres në realizimin e marrëveshjeve Kosovë - Shqipëri, ende shfaqen pengesa për bizneset, të cilat nuk rregullohen me marrëveshje e arritura mes shteteve.

Kështu u tha, të mërkurën në tryezën e diskutimit me temën: “Potenciali tregtar Kosovë - Shqipëri: barrierat tregtare dhe zbatimi i marrëveshjeve bilaterale”, të organizuar nga Instituti Riinvest dhe Instituti GAP, raporton KP-ja.

Pothuajse në të gjithë sektorët eksportues të Kosovës, është vlerësuar se ka potencial për rritje të bashkëpunimit. Janë identifikuar një mori pengesash të cilat po e pamundësojnë shfrytëzimin e këtij potenciali. Këto pengesa janë kryesisht të karakterit teknik, mirëpo në raste specifike ato shfaqen edhe në formë të barrierave tarifore.

Ndër pengesat kryesore që janë identifikuar në këtë studim përfshijnë dyfishimin e procedurave për mallrat që kalojnë transit në territorin e Shqipërisë, pengesat për skanim të mallrave në portin e Durrësit pavarësisht destinacionit final, tarifa e lart rrugore, çmimet referente, akcizat diskriminuese, dokumentacione shtesë sanitare dhe fitosanitare.

Visar Vokrri nga Instituti Riinvest, theksoi se në dy vitet e fundit është rritur shkëmbimi tregtar Kosovë - Shqipëri, teksa shtoi se që nga shpallja e pavarësisë janë nënshkruar 13 marrëveshje në fushën e tregtisë mes dy qeverive, por pavarësisht kësaj, ende mbeten një sërë pengesa.

Berat Thaçi nga Instituti GAP, tha se shumë prej problemeve me të cilat përballen bizneset, nuk mund të zgjidhen as me marrëveshjet e arritura mes dy qeverive, sepse nuk janë adresuar në këto marrëveshje.

Riinvest dhe GAP kanë hartuar një studim për vlerësimin e shkallës së zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara tregtare nga Kosova dhe Shqipëria.

Ky studim përmban një vlerësim të potencialit tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë si dhe identifikimin e barrierave tregtare të cilat po e pamundësojnë shfrytëzimin e këtij potenciali.