Arbëri

Komunat në veri nuk i zbatuan rekomandimet e auditorit për “Fondin Zhvillimor”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) bëri prezantimin publik të raportit të performancës “Zbatimi i rekomandimeve të raportit ‘Fondi Zhvillimor’ dhe efektet e fondit”, ku morën pjesë përfaqësues nga Dogana e Kosovës, Ministria e Financave dhe Transfereve, Komuna e Mitrovicës së Veriut, Komuna e Zveçanit, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare dhe mediat.

Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, tha se kërkesa për auditimin e Fondit Zhvillimor të Mirëbesimit (FZhM) ka ardhur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka njoftuar KP-ja.

“Auditimi i këtij fondi dhe vet fondi është shumë specifik, e dini që buron nga marrëveshja e Brukselit. Ka qenë sfidë auditimi i tij, duke i marrë parasysh karakteristikat e veçanta që i atribuohen këtij fondi. Projekti si i tillë për neve ka qenë i rëndësishëm edhe për një fakt tjetër meqenëse është pjesë integrale e buxhetit të shtetit dhe ne duhet të kemi informacion të bollshëm se si po menaxhohet fondi”, u shpreh Osmani.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, vlerësoi përkushtimin e institucioneve përgjegjëse për t’i bërë përmirësimet e nevojshme në mënyrë që mjetet e FZhM-së të shpenzohen në mënyrë efektive dhe në dobi të qytetarëve të komunave në veri të Kosovës.

“Kemi parë një përkushtim të institucioneve të përfshira për të bërë përmirësime. Ky është një mesazh që ish dashtë me ndjek të gjitha institucionet e tjera që ne auditojmë. Prandaj u bëj thirrje të gjithë akterëve që t’i marrin me seriozitet rekomandimet e dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit, sepse ato kanë qëllim të përbashkët që ky buxhet të përdoret për të mira materiale për qytetarët e komunave në veri”, theksoi Osmani.

Ndërsa, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Vlora Spanca, duke prezantuar konkluzionet kryesore të këtij auditimi, tha se komunat në veri nuk ishin mjaft efikase në vënien në dispozicion të projekteve të financuara nga Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit e në disa raste nuk ishin efektive.

“Konkluzionet kryesore të auditimit përcjellës janë se vetëm 4 nga 13 rekomandimet e dhëna janë zbatuar plotësisht, 5 rekomandime janë zbatuar pjesërisht dhe 4 rekomandime nuk janë zbatuar në tërësi. Prandaj në këtë aspekt progresi është i limituar dhe mbetet hapësirë për menaxhim më të mirë dhe kontroll financiar gjatë zbatimit të projekteve të financuara nga ky fond”, theksoi Spanca, duke shtuar se qytetarët janë ftuar në dëgjime mirëpo jo për projektet e financuara nga FZhM, disa projekte nuk janë përfunduar brenda afateve të përcaktuara ndërsa ka pasur projekte që ende nuk kanë filluar të zbatohen përkundër faktit se komunat kanë pasur buxhet në dispozicion.

Ndërkaq përfaqësuesit e komunave në veri të vendit, përkatësisht ata të Mitrovicës së Veriut dhe të Zveçanit u zotuan se do t’i marrin parasysh vërejtjet dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në mënyrë që mjetet e fondit të përdorën për projekte në dobi të qytetarëve të komunave veriore.

Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit është themeluar në vitin 2013 me marrëveshjen në mes të Bashkimit Evropian (BE) dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. Fondi ka për qëllim të promovojë zhvillimin social dhe ekonomik në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, raporton KP-ja.