Arbëri

Haradinaj: Shihet se ka marrëveshje Kurti-Vuçiq, çmimi vota e Listës Serbe për qeverinë

Foto: Driton Paçarada / Koha

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se vendimi i djeshëm i kryeministrit Albin Kurti, për heqjen gjysmake të tarifës, siç tha ai është pa kushte, e e pakundërvlerë për Kosovën. Heqja e tarifës, sipas Haradinajt, është gabim dhe rrezikon Kosovën.

“Kurti dje e ka copëtuar vendimin. Më 15 mars e heq tarifën për lëndën e parë e më 1 prill krejt. Copëtimi është bërë me mashtru Kosovën, duke e shoqëruar me disa kurthe retorike gjoja të kushtëzimeve që i ofron Kurti. Psh, absurdi i parë është heqja e tarifës për lëndën e parë, dhe i del 2 javë me vlerësua se Serbia është konstruktive. Çfarë treguesi kohor janë dy javë, kur ne Serbinë e njohim qe sa vjet”, tha Haradinaj në një konferencë për media, raporton Koha.net.

Sipas tij, heqja e tërësishme e tarifës më 1 prill, sipas paralajmërimit të Kurtit, shfrytëzohet me pritje që Serbia të jetë konstruktive.

“Heqja e tarifës para zgjedhjeve në Serbi, është vetëm konstruktivitet i Kurtit për presidentin Vuçiq t’i fitojë zgjedhjet në Serbi. Shihet që ka një marrëveshje mes tyre, kuptohet çmimi është vota e listës serbe për qeverinë Kurti”, tha ai.

Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, heqja e tarifës është gabim.

Haradinaj, në këtë konferencë për media, tha se Kurti “s’mund t’i nxjerrë para një kushtëzimi vendet e BE-së për liberalizim”, sepse kështu, veç humb liberalizimi.

“Kjo logjikë e Kurtit e ka një problem. Grenelli, nuk i thotë faleminderit por kërkon më shumë. Kurti nuk e la asnjë mik afër vetes. Nuk i lajmëron partnerët qeverisës por thërret konferencë për këso lajme. Merr peng prapa tij gjashtë sipërmarrës. Nuk ka me falënderu askush z.Kurti. U dorëzua shumë shpejt para Serbisë”, u shpreh Haradinaj, përcjell Koha.net.

AAK-ja, sipas tij, do të mobilizohet dhe siç tha ai, “do ta pengojë mashtruesin Kurti, tash kryeministër, për këtë drejtim të rrezikshëm për vendin”.

“Do të thërrasim edhe mobilizim të qytetarëve”, u shpreh Haradinaj.