Arbëri

Kryeparlamentarja Osmani mblodhi kryetarët e komisioneve parlamentare

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi sot një takim me kryetarët e komisioneve parlamentare, për të diskutuar lidhur me mbarëvajtjen e punës pas konstituimit të tyre, detyrave që ato kanë para vetes dhe kërkesave eventuale për punë.

Kryeparlamentarja Osmani bëri të ditur se të gjitha komisionet tashmë kanë mbajtur mbledhjet konstituive dhe kanë harmonizuar përshkrimin e detyrave të punës, bazuar në thirrjet e ministrive përkatëse.

Kryetarja e Kuvendit foli po ashtu edhe për buxhetin e paraparë për secilin komision dhe shfrytëzimin e tij bazuar në Udhëzimin për administrimin e buxhetit të komisioneve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Lidhur me disa borde dhe agjenci të pavarura të cilat zgjidhen nga Kuvendi, kryetarja Osmani kërkoi nga komisionet që t’i ndërmarrin veprimet e duhura konform fushëveprimit të tyre, në bazë të Rregullores së Kuvendit dhe ligjeve specifike, për shpalljen e konkurseve publike për zgjedhjen e anëtarëve të tyre.

Kryetarët e komisioneve, ndërkaq, theksuan përkushtimin për efikasitet në punën e komisioneve, në funksion të realizimit të planeve të tyre dhe të avancimit të punës së Kuvendit në përgjithësi. ​