Arbëri

Hyseni: S’kemi fuqi punëtore të dërgojmë jashtë, nëse kjo praktikë vazhdon rrezikohet ekonomia

Blend Hyseni nga organizata GAP ka thënë se para vitit 2015 migrimi i fuqisë punëtore jo të kualifikuar në Kosovë është parë përmes formës së azilit.

Mirëpo sipas tij, edhe pse numri i azilkërkuesve ishte i lartë në atë kohë, kjo nuk ishte problem për Gjermaninë, por se problem u bë kur një valë e madhe nga Lindja e Mesme shkuan drejt Gjermanisë.

Hyseni në Express Intervista të KTV-së thotë se tash duhet të sigurohet një kontratë pune dhe të fitohet leja për punë nga Kosova për Gjermani.

“Me këtë rregull u kufizua mundësia që të shkosh ilegalisht dhe u hap një mundësi e re për migrim legal. Kosova prin edhe në numrin e personave që kanë kërkuar për të dalë përmes kësaj metode por edhe për numrin e vizave. Që nga formimi i këtij ligji në tri vitet e para numri i aplikuesve ishte mbi 200 mijë dhe 1/3 e këtyre aplikimeve ka ardhur nga Kosova”, ka thënë ai

Ai tutje ka shtuar se Kosova nuk ka fuqi punëtore për të dërguar jashtë vendit.

“Për ekonominë tonë ka aspekte edhe pozitive edhe negative nga migrimi. Edhe pse numri i të papunëve është i lartë nuk do të thotë që kemi fuqi punëtore për të dërguar jashtë vendit. Ne kemi thënë se është e rëndësishme të shikohet për profesione. Po ashtu duhet të komunikohet me bizneset kosovare për të shikuar se cila është nevoja e tyre. Kosova është bërë pjesë e marrëveshjes me Gjermaninë pothuajse pa e ditur fare. Kjo marrëveshje e ka gjetur vendit të papërgatitur duke mos e ditur se çfarë kuadro i duhen vendit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Kosova ka sistem të arsimit i cili nuk i përgjigjet kërkesave të tregut.

Ai thotë se ka të diplomuar në fusha për të cilat Kosova nuk ka nevojë.

Hyseni thotë se Gjermania me ligjin e migrimit të Ballkanit Perëndimor kërkon persona të çdo lloj aftësie, ndërkaq me ligjin që do të hyjë në fuqi të hënën kërkon vetëm persona me aftësi të larta.

Sipas tij, Kosova duhet ta dijë se për cilat profesione ka nevojë dhe për cilat jo.

“Ky ligj përfshin të gjitha vendet e botës dhe jo vetëm Ballkanin Perëndimorë. Është shumë më vështirë që disa persona me diploma të kolegjeve private të depërtojnë. Edhe ky ligji i vjetër ka mundësi t’i marrë edhe profilet profesionale. Ne çka kemi bërë në këtë raport është se për secilin profesion kemi vendosur të bëjmë një faktor të rrezikut. Enti i statistikave i ka disa të dhëna të profesioneve por nuk i publikon, unë mendoj që do të duhej të publikoheshin e pastaj të studioheshin”, ka thënë ai.

Ai thotë se Kosova ka të papunë por nuk mundësi të eksportojë të gjithë të papunët, sepse ka mundësi që sektorët strategjik të mbesin pa fuqi punëtore dhe kjo ndikon në ekonominë e vendit.

Hyseni shton se rreth 16 mijë persona kanë arritur të marrin vizë por se profesioni i tyre nuk publikohet nga ambasada e Gjermanisë.

Sipas tij, dalja kryesisht është nga punëtorët shëndetësorë, ka edhe nga ndërtimtaria e edukimi.

Ai thotë se një prej aspekteve pozitive është se me zvogëlimin e papunësisë në Kosovë do të krijohet një konkurrencë e bizneseve për të marrë punëtorë.

“Wshtë një numër i madh i punëtorëve të ndërtimtarisë që po dalin dhe unë mendoj që sa më shumë rritet konkurrenca, do të shtohet interesimi që të mbahen punëtorët në punë. Shteti tjetër që është prekur nga emigracioni janë edhe Bosnja e Hercegovina gjithashtu edhe Serbia, pasi me ikjen e të rinjve atje po mbetet një popullatë e vjetër. Rreziku i Kosovës është që në disa vite nëse vazhdon emigrimi në këtë formë atëherë do të bëhemi si vendet tjera”, ka thënë ai.