Arbëri

Qeveria e Kosovës paralajmëron takim për të vendosur për taksën ndaj produkteve të Serbisë

Foto: Driton Paçarada / Koha / ilustrim

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të mblidhet së shpejti për të marrë vendimin në lidhje me taksën apo tarifën doganore të vendosur ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Vendimi për tarifën doganore prej 100 për qind ishte marrë në nëntor të vitit 2018, nga qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Qeveria aktuale e kryeministrit Albin Kurti ka paralajmëruar heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë.

Vendimi i qeverisë në lidhje me taksën, po paralajmërohet pas thirrjeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që taksa të shfuqizohet në mënyrë që të vazhdojë dialogu për arritjen e një marrëveshjeje paqësore me Serbinë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, sipas një komunikate për media të lëshuar pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaci, ka theksuar se pret që Kosova të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të shfrytëzojë momentumin e krijuar pas nënshkrimit të dokumenteve për krijimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe tokësore midis Prishtinës dhe Beogradit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, tha për Radion Evropa e Lirë, se qeveria planifikon të mbajë një takim ku përveç çështjes së tarifës, do të diskutohet edhe për realizimin e planit qeverisës që rrjedhë nga marrëveshje e koalicionit, ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Abazi tha se Qeveria e Kosovës po punon që të tejkalojë çështjet e hapura dhe se, sipas tij, çështja e heqjes së tarifës po shikohet me kujdes.

"Në përgatitjen e planit qeverisës, i cili është në finalizim, është që të kemi qasje të përgjithshme përfshirë edhe marrëdhëniet në rajon, po në mënyrë specifike, në kalimin nga tarifa për mallrat serbe dhe boshnjake në reciprocitet për të përdorur këtë si instrument të njohur përbrenda marrëdhënieve ndërkombëtare", tha Abazi.

Megjithatë, ai tha se ende nuk mund të tregohet një datë se kur do të largohet taksa, por theksoi se Qeveria e Kosovës po punon që t’i mbyll çështjet e hapura dhe jo të hap çështje të reja në rrafshin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e re e kryeministrit Albin Kurti ka marrë mbështetjen e SHBA-së e BE-së për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia, por kjo përkrahje i ka munguar në tentativën e proklamuar që taksën ta zëvendësojë me vendosjen e masës së reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë.

Teksti i plotë në Radio Evropa e Lirë.