Telekomi i Kosovës në prag të falimentimit – qeveria hesht Foto: Koha

Telekomi i Kosovës në prag të falimentimit – qeveria hesht

27 February 2020 13:27

Ende nuk dihet se si Qeveria e re e Kosovës do t’i qaset problemeve financiare dhe operative me të cilat po përballet Telekomi i Kosovës, dikur një nga ndërmarrjet më fitimprurëse në vend.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala me mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të kontaktuar ministren e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, por ka qenë e pamundur të merret një prononcim se çfarë do të ndodhë me këtë kompani dhe si do t’i qaset qeveria e re zgjidhjes së problemeve financiare dhe teknike që ka kompania.

Deri më tani, me kërkesë të ministres Hajdari, qeveria ka shkarkuar Bordin e Telekomit. Siç është thënë, “shkarkimi i bordit është i domosdoshëm pasi që ndërmarrja në fjalë është sjellë buzë falimentimit”.

Ndërkohë, edhe përfaqësuesit e Telekomit thonë se ministrja Hajdari nuk i ka takuar ende as ata për të diskutuar rreth gjetjes së një zgjidhje të problemeve me të cilat kjo kompani po përballet që nga viti 2015.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, tha për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht kërkesave që i kanë dërguar ministres Hajdari, por edhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ende nuk kanë zhvilluar ndonjë takim.

“Që nga zgjedhja e qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti, kam kërkuar një takim që ta informoj në detaje mbi gjendjen e Telekomit. Në të njëjtën kohë edhe ministres Rozeta Hajdari i kam kërkuar një takim. Javën e kaluar, por edhe këtë javë, kam dërguar shkresa dhe njoftime të natyrës së ndryshme rreth gjendjes së Telekomit të Kosovës edhe te kryeministri edhe te ministrja. I kam njoftuar për proceset, mbi situatën aktuale në të cilën gjendet Telekomi dhe shpresoj që në ditët në vijim do të kemi një qasje më konkrete, më të drejtpërdrejt duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodhet Telekomi i Kosovës”, thotë Istrefi.

Kjo kompani, thekson Istrefi, ka probleme të mëdha financiare dhe teknike të cilat Qeveria e Kosovës do të duhet t’i trajtojë me seriozitet në mënyrë që të arrihet deri te stabilizimi i kësaj gjendje, në të kundërtën, shton ai, po rrezikohen edhe shërbimet që ofron kompania.

“Janë dy çështje. Kemi një proces në arbitrazh që ka qenë më herët me Z-Mobile e cila ka dërguar në përmbarim lëndën prej 25 milionë eurosh, që është një vlerë e cila rrezikon Telekomin dhe mund të vjen deri te falimentimi”, thotë ai.

Problem tjetër, thekson Istrefi, është edhe pjesa teknike e cila për më gjatë se katër vjet nuk ka mirëmbajtje dhe për më shumë se dhjetë vjet nuk ka investime në pjesën e modernizmit.

“Si pasojë e sistemeve që janë të vjetruara, rrezikohet edhe me rënie të shërbimeve. Këto dy çështje janë jetike dhe duhet të kishte një vëmendje më të qartë, më të shpejtë nga institucionet tona, që të krijohet një stabilitet teknik dhe financiar në Telekom”, thotë Istrefi.

Rrezikimi i rënieve të shërbimeve të Telekomit konsiderohen të jenë shqetësuese për sigurinë nacionale të vendit, thonë ekspertë të fushës.

Të plotë mund ta lexoni në REL

Komentet

Shto koment

Të ngjashme