Kurti: Të merret vesh kush kërkoi që FSK-ja të mos shkojë në Kosovën Veriore Foto: Koha

Kurti: Të merret vesh kush kërkoi që FSK-ja të mos shkojë në Kosovën Veriore

26 February 2020 14:15

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur konferencë për medie, vetëm disa orë pas publikimit të marrëveshjes sekrete Thaçi-NATO, si dhe opinionit të Zyres Ligjore të Kryeminstrit, se ka bazë për të nisur procedurat për shkarkimin e presidentit Thaçi.

“Atë ditë nuk kishim një, por dy marrëveshje në Bruksel. Njëra midis ish-kryeministrit Thaçit dhe ish-kryeministrit Daçiq dhe tjetra rreth Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila pa dakordim paraprak nuk do të shkonte në Kosovën Veriore”, tha Kurti, raporton Koha.net. 

LEXO EDHE: Kurti ka kërkuar analizë të marrëveshjes sekrete NATO-Thaçi për Veriun

Sipas Kurtit, për qeverinë është me rëndësi të dihet se kush ia ka kërkuar një zotim të tillë kryeministrit.

“Të marrim vesh kush e ka kërkuar që FSK-ja mos të shkojë në Kosovën Veriore, nuk besoj se Brukseli e ka kërkuar. Mund t’ia ketë kërkuar Serbia por kjo duhet të dihet. Ky shkëmbim i letrave midis ish-sekretarit Rasmussen dhe ish-kryeministrit Thaçi, sipas opinionit ligjor të zyrës së kryeministrit paraqet marrëveshje ndërkombëtare, duke u bazuar në Konventën e Vjenës. Fshehja e një marrëveshjeje të tillë, të datës 19 prill 2013, konsiderojmë që është shkelje flagrante, me të cilën duhet të merren organet e drejtësisë”, tha Kurti.

Kurti ka bërë të ditur se nesër do ta takojë komandantin e KFOR-it, duke e theksuar rëndësinë që i vë qeveria aleancës me NATO-n.

“FSK-ja, Ministria e Mbrojtjes, KFOR-i, NATO, janë gjithmonë bashkë në të njëjtën kohë”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti, gjithashtu tha se “Ka shkelje te kushtetutës dhe me te duhet te merren organet e hetuesisë”.

“Zotim i njëanshëm i presidentit, ky është shqetësimi ynë. Në vitin 2013 deputetët janë vënë në lajthitje. Aty janë 15 pika, e 6 pikat e para flasin për Zajednicën”, tha Kurti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme