Bajrami dhe Kastrati merren vesh për pezullimin e reformave në dy fshatra të Kamenicës Foto: Driton Paçarada / Koha

Bajrami dhe Kastrati merren vesh për pezullimin e reformave në dy fshatra të Kamenicës

Edona Kutleshi Edona Kutleshi 25 February 2020 17:06

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami dhe kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati kanë arritur marrëveshje që të pezullohet vendimi për reformat në dy fshatra të Kamenicës, Koretin dhe Topanicë. Ata kanë bërë të ditur se nga nesër fëmijët e këtyre fshatrave mund të kthehen në shkollat ku kanë qenë nga fillimi.

Këtë marrëveshje e kanë arritur për arsye se nga 13 janari i këtij viti një pjesë e fëmijëve të Koretinit dhe Topanicës nuk kanë vijuar mësimin duke kundërshtuar që të zhvendosen në një shkollë tjetër. Këtë e kanë bërë të ditur ministrja Bajrami dhe kryetari Kastrati në një konferencë të përbashkët për media. Ata i kanë ftuar prindërit dhe nxënësit që ta respektojnë këtë marrëveshje dhe të mos humbet më shumë mësim, raporton Koha Ditore.

“Situata e krijuar nuk është aspak e këndshme as për neve as për komunën sepse kemi një numër të konsiderueshëm të nxënësve që nga 13 janari nuk kanë vijuar mësimin", ka thënë ministrja Bajrami. Ndërkaq, kryetari Kastrati ka thënë se reforma për fshatrat tjera do të vazhdojë siç ka qenë.

Sipas tij, komuna e Kamenicës e kanë gjendjen më së keqi në Kosovë në raportin mësimdhënës-nxënës dhe kjo i ka shtyrë që të ndërmarrin reforma në arsim. “Ne do ta pezullojmë vendimin për fshatrat Koretin dhe Topanicë dhe qysh prej nesër i ftojmë të vazhdojnë siç kanë qenë në të kaluarën deri në një vendim tjetër që e marrin organet kompetente ndërsa faza e parë e kësaj reforme duhet të vazhdojnë”, ka thënë kryetari Kastrati.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme