Arbëri

Prokuroria kërkon që Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi të shpallen fajtorë për mashtrim

Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës që t’i shpallë fajtorë të pandehurit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi për veprën penale “mashtrim”.

"Të pandehurit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi e kanë kryer veprën penale e cila u vihet sipas aktakuzës ku vërtetohet se në bazë të dëgjimit të të dëmtuarit Faton Dalladaku në cilësinë e dëshmitarit dhe si në bazë të dëgjimit të dëshmitarëve të tjerë", ka deklaruar prokurorja Rukije Shasivari.

Dënimin e të akuzuarve pa rrethana lehtësuese e ka kërkuar edhe avokati i të dëmtuarit Faton Dalladaku, Skënder Musa, raporton KTV.

"Gjatë këtij procesi gjyqësor është vërtetuar me prova të pakontestueshme të cilat kanë qenë prova materiale siç është rasti i CD-ve të cilat në mënyrë të pakontestueshme kanë vërtetuar se veprën penale të mashtrimit e kanë kryer këta dy persona që akuzohen si dhe Ekrem Lika i cili gjendet në arrati", ka thënë Musa, duke shtuar se presin nga Gjykata një vendim të drejtë.

Ndërsa mbrojtja ka mohuar se Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, derisa ka theksuar se ata asnjëherë nuk kanë përdorur emrin e Kadri Veselit.

Sipas tyre provat janë të pakta dhe kanë kërkuar që të akuzuarit të lirohen nga akuza.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 21 mars 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit për shkak të veprës penale “Mashtrimi”.