Arbëri

Kthehen në punë tre policë të akuzuar për keqtrajtim të dy banorëve në Shtime

Duke vozitur rrugëve të Shtimes, Diamant Hetemi kishte hasur një pjesëtar të policisë, takimi me të cilin, gati tre muaj më parë, i kishte nxjerrë mjaft telashe.

Hetemi dhe Arben Ademi ishin rrahur brutalisht në hapësirat e stacionit të Policisë të kësaj komune, për çka tani polici në fjalë dhe dy kolegë të tij, po gjykohen për veprat penale “Keqtrajtim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.

Nga ky incident i 6 tetorit 2019, Arben Ademi kishte përfunduar me nofull të thyer dhe në gojë, pas dy operacioneve, i janë vendosur pllakëza metalike, për të cilat i nevojitet një intervenim i tretë, derisa po përballet me vështirësitë në mbulimin e shpenzimeve, raporton KTV.

Kthimi i të tre policëve nga punë ka sjellë frikë te Hetemi e Ademi, që, me fjalët e tyre, situatën e përshkruajnë ‘sikur shteti po i shtyn drejt telasheve të tjera’ në vend se t’u ofrojë siguri.

Gjykimi ndaj tre policëve, pas ngritjes së aktakuzës, është duke u zhvilluar në Gjykatën Themelore të Gjilanit.

Inspektorati Policor i Kosovës, në një përgjigje për KTV-në, ka thënë se me t’i kryer hetimet dhe dorëzimin e kallëzimit penal, kishin përfunduar edhe arsyet për të cilat ishte rekomanduar suspendimi.

E, në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Ferizaj, nën ombrellën e të cilës është edhe stacioni i Shtimes, vetëm kanë mundur të konfirmojnë rekomandimin për kthimin e tyre në punë.
 

IPK-ja, në përgjigjen që ka dhënë, ka theksuar se rastin e ka përcjellë edhe në Drejtorinë e Hetimeve të Brendshme të Policisë për hetim disiplinor.

Kjo e fundit, sipas një përgjigje për televizionin, pas analizimit të rastit, kishte vlerësuar se ndërprerja e suspendimit, nuk paraqet problem në aspektin e hetimit disiplinor pasi që: rasti ishte pezulluar, pritej një vendim i gjykatës dhe hetimet disiplinore, mund të zhvilloheshin pavarësisht ndërprerjes së suspendimit.

Kritik ndaj vendimit të IPK-së është edhe Plator Avdiu, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, sipas të cilit duhet pritur fundi i procesit gjyqësor.

Avdiu nuk heq fajin as nga menaxhmenti i Policisë, që toleron zyrtarë edhe më të lartë të aktivizohen pavarësisht aktakuzave ndaj tyre.

Vitin e kaluar, në Gjakovë, 6 zyrtarë policorë, përfshirë komandantin Krist Gjokaj, u kthyen nga suspendimi në vendet e tyre të punës, pavarësisht aktakuzave për një rast tjetër të dyshuar për keqtrajtim brenda stacionit policor.