Qollakaj: Është dashur të veprohej që së paku policja të mos kishte qasje në armën zyrtare

19 February 2020 20:51
22:00

Fatmir Qollakaj, profesor i Sigurisë, në Rubikon ka thënë se rastin e vrasjes së shumëfishtë në Gjilan e sheh në katër kontekste.

“Unë e shoh ngjarjen në disa aspekte, nga këndvështrimi multi-kontekstual, nga konteksti psikologjik, sociologjik, atë të sigurisë dhe institucional. Në kontekstin psikologjik u diskutua se bëhet fjalë për një person me shëndet mendor të rënduar, në kontekstin institucional bëhet fjalë për një zyrtare të një institucioni shumë të rëndësishëm të shoqërisë sonë, në kontekstin sociologjik bëhet fjalë për familjet, për një atak në shoqëri kurse në kontekstin e sigurisë bëhet fjalë për një atak në sigurinë edhe ashtu jo shumë të qëndrueshme”, ka thënë Qollakaj.

Ai thekson se pa përfunduar përpunimi kriminalistik nuk është serioze të japin kualifikime.

“Nga këndvështrimi kriminalistik pa u përfunduar përpunimi kriminalistik konsideroj që nuk është serioze të nxitohet në kualifikime jo vetëm në aspektin hetimor policor por kontekstin për përpunimin kriminalistik”, ka thënë Qollakaj.

Tragjedia në Gjilan, policja me seanca e terapi për shkak të gjendjes psikologjike

Sipas tij është dashur që të paktën të mos i lejohej qasje në armën zyrtare.

“Në aspektin sociologjik është alarm, klithmë e madhe që shoqëria jonë gati është në një dekompozim aksiologjik, shterje e vlerave, ku prapë institucionet kanë barrën e tyre. Kam kritikën time për Policinë, përkundër që kemi një bashkëpunim shumë të mirë, por nga ajo që u tha se që tri vjet ajo ishte me një shëndet të rrënuar mendor dhe mos ndërmarrja e masave për mendimin tim është një përgjegjësi e madhe. Është dashur të veprohej që së paku ajo të mos kishte qasje në armën zyrtare”, ka thënë ai.

21:42

Halimi: Policia s’ka treguar profesionalizëm në trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Sociologia Sibel Halimi në Rubikon të KTV-së ka thënë se Policia nuk ka treguar profesionalizëm në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

E sipas saj edhe në rastin në Gjilan, ku policja vrau katër anëtarë të familjes dhe veten, përgjegjëse është Policia.

“Çështja duket të jetë mjaft komplekse. Policia e Kosovës ka dështuar në kuptimin e mekanizmave të brendshëm. Problemi më i madh te ne është profesionalizmi i psikologëve dhe zinxhirit të brendshëm për diagnostikimin dhe parandalimin e rasteve. Ne duhet të jemi objektivë në trajtimin e kësaj çështje. Policia jo vetëm në këtë rast, por nuk ka treguar profesionalizëm në trajtimin e rasteve siç është dhuna në familje”, ka thënë Halimi.

Sipas saj Policia duhet të ketë një ndjeshmëri më të lartë ndaj këtyre rasteve.

“Gjatë gjithë kohës nuk dimë se si t’i qasemi dhunës në familje. Ende pa i pasur rezultatet preliminare zyrtarët kanë dalë për të konstatuar rastin. Nuk kemi arritur në diagnostikim në detaje. Policia duhet të jetë në një kapacitet më të lartë të ndjeshmërisë në rastet e dhunës në familje. Policia duhet të marrë përgjegjësinë dhe të parandalojë rastet”, ka thënë ajo.

21:35

Berisha: Vrasjet në Gjilan me paramendim, rastin duhej ta alarmonin psikologët

Avokati Besnik Berisha në Rubikon të KTV-së ka thënë se vrasja e shumëfishtë në Gjilan gjatë ditës së djeshme ishte me paramendim, dhe gjithçka ishte e planifikuar.

Një gjë të tillë e vërteton fakti se pak ditë para se zyrtarja policore në Gjilan të vriste katër anëtarët e familjes dhe veten, kishte deponuar te tezja e vet 12 mijë euro derisa kishte pyetur se sa mund të kushtojë një varrim.

“Të mos ketë mekanizëm dhe bazë ligjore për ta çuar dikë në shtëpi kjo për mua është shqetësuese dhe është alarmuese. Pak ditë para se të ndodhte ky rast ish-zyrtarja, tani e ndjera, 12 mijë euro i ka deponuar tek tezja e saj e madje ka pyetur se sa do të kushtonte një varrim”, ka thënë Berisha.

Policja në Gjilan vrau prindërit, dy vëllezër e më pas veten

Tutje ai ka shtuar se arma ishte tërhequr nga stacioni policor të premten, derisa dyshohet se intervali kohor ndërmjet vrasjeve dhe vetëvrasjes ishte ndërmjet 3 dhe 4 orë.

“Gjithçka ka qenë e planifikuar, madje dyshohet se arma është tërhequr të premten nga stacioni mes orës 16:00 – 16:15. Dyshohet se ajo ka bërë përgatitje. Kurse dyshimi është mjaft i bazuar se intervali kohor ndërmjet vrasjeve dhe vetëvrasjes ka qenë 3-4 orë, që ka pasur hapësirë. Janë kryer vrasjet, kurse akti i vetëvrasjes ka ndodhur së paku 3-4 orë më vonë. Njëri vëlla është vrarë derisa ai ishte në gjumë dhe anëtarët e tjerë në dhomat e tjera. Tragjikja është këtu se vrasja ka ndodhë me paramendim, pra nuk ka ndodhur si një shpërthim momental, apo ndonjë konflikt familjar”, ka thënë Berisha.

Sipas tij këtu është dashur të alarmojnë rastin psikologët që janë marrë me policen dhe gjendjen e saj.

“Për mua neglizhenca e institucionit që e ka kryer këshillimin psikologjik dhe kushdo që qenka klinika e kontraktuar nga Policia e Kosovës. Nëse dikush vuan për plot 3 vite dhe nuk ka sukses në shërimin dhe përmirësimin e simptomave dhe ankesat kanë qenë të vazhdueshme në punën e saj, pra kanë vijuar dhe nuk kanë pasur progres. Këtu e shoh komplet zinxhirin që e ka menaxhuar këtë situatë të fajshëm për mungesë të syçelësisë, pra jo për veprime inkriminuese. Sikurse fajësoj këdo ekspert të cilit i është ulur përpara zonja dhe të cilët nuk e kanë pasur guximin të shkruajnë një rekomandim se ky person paraqet rrezik për ambientin ku rrinë. A do të ketë pastaj mundësi Policia e Kosovës të investojë në shërim, që të angazhojë ekspertë, apo do t’i përkeqësohet situata dhe do të përfundojë në varrë. Më mirë është të përfundojë një se sa të përfundojnë pesë. E pasojat kanë mundur të jenë të mëdha pasi një akt të tillë ka mundur ta kryejë edhe ndaj kolegëve”, ka thënë Berisha.

Ai shtoi se psikologët kanë dështuar për të parandaluar një rast të tillë.

"Kjo gjendje është alarm dhe fajtorin nuk e kërkoj tek ata që bartin yje, si puna e kolonelit, por e kërkoj tek ata që e kanë kryer shkollën e psikologjisë, tek ata që japin këshilla te psikologu apo te psikiatri, sepse ata është dashur ta kenë nivelin e përgatitjes së mjaftueshme për të parandaluar, apo së paku për të alarmuar raste të tilla”, ka thënë Berisha.

20:51

Shillova thotë se në çantën e polices në Gjilan janë gjetur çelësat ku ruhej arma

Riza Shillova, drejtor i Departamentit për Hetime, në Rubikon të KTV-së ka bërë të ditur se në çantën e polices në Gjilan janë gjetur çelësat se ku mbahej arma zyrtare.

Zyrtarja policore dje në Gjilan ka vrarë katër anëtarë të familjes dhe në fund ka bërë edhe vetëvrasje.

“Në çantën e polices, e cila kreu vrasjen e shumëfishtë në Gjilan janë gjetur disa çelësa të vendit se ku mbahej arma. Ende nuk dihet se si ka arritur deri në marrjen e këtyre çelësave, por se arma ishte vendosur në një vend të veçantë sipas procedurave standarde”, ka thënë Shillova.

Tutje ai ka thënë se zyrtarja policore ka punuar për 20 vjet në Polici, dhe problemet psiqike i kanë nisur në katër vitet e fundit.

“Zyrtarja policore nuk ka pasur probleme për 15 vite, e ato kanë nisur në këto 4 vitet e ardhshme. Më pas është adresuar rasti. Ajo ka pas terapi. Në bazë të asaj që kemi bërë ne gjithçka ka shkuar në bazë të procedurave. Gabimi është se rasti ka ndodhur me armë zyrtare, ka mundur ta kryejë edhe në forma tjera, por përgjegjësia e Policisë është kjo. E në këtë aspekt nuk është kryer mirë procedura brenda Policisë”, ka thënë Shillova.

Ai tutje ka shtuar se më 2017 ishte marrë vendimi që polices t’i merrej arma.

“Në vitin 2017 si rezultat i ekzaminimeve të mëhershme mjekësore është rekomanduar që polices t’i merret arma dhe të caktohet në pozita administrative, pra pa armë dhe uniformë. Problemet fillimisht kanë qenë kryesisht të natyrës së vonesave në punë, sjellje jo të mira me qytetarët dhe kolegët dhe sjellje të tjera të cilat reflektohen te zyrtarët në fazat e para të çrregullimeve”, tha Shillova.

Ai ka bërë të ditur se policja i ka pasur 14 seanca për këshillim dhe përkrahje në vitin 2017, 2018 dhe 2019. Këto seanca sipas tij bëhen në rastet kur një polic përballet me trauma, situata stresi apo situata të rënda.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme