Kryeministri thotë se reciprociteti do të mbrojë prodhuesit vendorë

Kushtrim Kadriu Kushtrim Kadriu 19 February 2020 19:10

Grup punues për të analizuar heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit ka krijuar Qeveria e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se parimet e reciprocitetit do të jenë të bazuara në vendimet e Organizatës Botërore të Tregtisë, raporton KTV.

Shefi i Ekzekutivit ka thënë se reciprociteti është masë mbrojtëse ndaj prodhuesve.

Kurti u ka premtuar mbështetje prodhuesve vendorë.

Bashkim Osmani, nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, ka kërkuar nga Qeveria krijimin e kushteve më të mira për investitorët e huaj.

“Për ne si prodhues tregu i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë janë prioritet dhe kërkojmë nga Qeveria e re që të na mbështesë dhe sa më shumë të depërtojmë në këto tregje. Kosova viteve të fundit çalon sa u përket investimeve të huaja. Kosova duhet të ketë kushte edhe më të mira dhe që të tërheqë investitorë të huaj. Ne presim qe sa më shpejt të miratohet Ligji për tregtinë e brendshme”, ka thënë Osmani.

Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndonjë afat kohor se kur do ta zëvendësojë taksën me masën e reciprocitetit, por Kurti ka thënë se sapo të marrë raportin nga ky grup punues ai do të analizohet dhe do të merren vendime.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj i ka bërë sërish thirrje kryeministrit që të mos e heqë taksën ndaj Serbisë pa njohje reciproke në kufijtë ekzistues.

“Oferto heqjen e taksës për kontratën finale, për njohje në kufijtë ekzistues, jo për rikthim në proces dialogues tashmë të konsumuar e të komprometuar. Nëse shkon rrugës së parë për kontratën finale për njohje, do ta kesh përkrahjen time dhe të Aleancës. Nëse vazhdon me ofertën për kthim në proces të konsumuar e të komprometuar, do të të mbajmë përgjegjës për pasojat”, ka shkruar Haradinaj.

Nën qeverisjen Haradinaj, taksa 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë ishte vendosur më 21 nëntor 2018.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme