Sekretarët e përgjithshëm të ministrive në Qeverinë e Kosovës që janë shkrirë në ministri tjera, janë larguar nga pozitat e tyre.
Propozimin për një gjë të tillë, në mbledhjen e ekzekutivit, e ka paraqitur vetë kryeministri Albin Kurti, raporton KTV.
Menjëherë pas miratimit të këtij vendimi, ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka propozuar sekretarin e ri të përgjithshëm.
E, një gjë të tillë, me vendimin e Qeverisë, do të duhet ta bëjnë të gjitha ministritë.
Por, që në mbledhjen e tretë të Qeverisë, partnerët e koalicionit qeveritar kanë shfaqur ndasitë në kabinet.
Ndarja e mjeteve për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë ka qenë shkas për përplasje mes Besnik Bislimit nga VV-ja dhe zëvendëskryeministrit të LDK-së, Avdullah Hoti.
Ministri i Financave, Bislimi, është shprehur i shokuar me shumën e mjeteve të kërkuara nga KQZ-ja për këto zgjedhje.
Por, miratimin e propozimit të KQZ-së ashtu siç është paraqitur, e ka kërkuar Avdullah Hoti. Kërkesë kjo që nxiti reagimin e Bislimit
Zv.kryeministri Hoti dhe katër ministrat nga LDK-ja zgjodhën të abstenojnë në marrjen e këtij vendimi.
Kabineti i udhëhequr nga Albin Kurti, ndër të tjerash, ka shfuqizuar edhe një vendim të Qeverisë, të marrë në kohën kur ajo udhëhiqej nga Isa Mustafa.
Me këtë vendim, ish-zyrtarët e kabinetit qeveritar nuk do të marrin pagë pas përfundimit të mandatit të tyre.