3 perditesime
00:12

Nagavci: Kurti me Thaçin ende s’i kanë tejkaluar mosmarrëveshjet mes vete

Vendimi për heqjen e taksës do të bëhet publik dhe opinioni do të njoftohet me kohë, tha Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.

Ajo tha se qeveria e re nuk do të marrë vendime siç kanë bërë qeveritë e kaluara, kur janë marrë në mënyrë të ngutshme e të njëanshme.

“Ato na kanë shërbyer mirë që ne të veprojmë me urtësi e seriozitet për vendimet të këtilla”, tha ajo.

Sipas saj, të gjitha shtetet partnere kanë mbështetur koalicionin qeverisës dhe kanë respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur më 6 tetor, ndërsa shtoi se deklaratat individuale mund të jenë të ndryshme për sa i përket heqjes së taksës ndaj Serbisë.

“Unë nuk di të ketë një qëndrim zyrtar, por për veprime të mëtutjeshme janë të nevojshme deklaratat zyrtare, deklarata të cilat e kufizojnë qeverinë në marrjen e vendimeve, por me sa e di unë s’ka të tilla”, u shpreh Nagavci.

Për deklarimet e Richard Grenellit për heqjen e taksës ndaj Serbisë, Nagavci tha se beson që qeveria do të jetë e vëmendshme dhe e kujdesshme dhe do të procedojë tutje duke u kujdesur që interesi i qytetarëve të Kosovës dhe integriteti territorial të jetë në radhë të parë.

“Ne duhet të insistojmë që kjo e drejtë të mos na cenohet dhe të na njihet si qëndrim i qeverisë sonë”, shtoi ajo.

Për marrëveshjet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë për hekurudhat dhe autostradat, Nagavci tha se kryeministri Kurti e ka bërë të qartë qëndrimin e qeverisë.

“Unë s’mund të jap qëndrim sepse nuk e di se çfarë është nënshkruar. Ato janë arritur pa miratimin e qeverisë Kurti e as të Kuvendit. Marrëveshjet duhet të shihet se çfarë përmbajnë, si dhe legjitimiteti i zyrtarëve që i kanë nënshkruar këto marrëveshje. Si Kuvend s’kemi asnjë njoftim zyrtar për këto marrëveshje. Me aq sa di, as Qeveria Kurti deri dje s’i ka parë ato marrëveshje. Mund të ndodhë që i kanë parë sot, por s’kam informata. Ato marrëveshje duhet të shqyrtohen me shumë vëmendje dhe kujdes”, potencoi Nagavci.

Për ftesën që Kurti ia bëri Thaçit, Nagavci tha se nuk e di nëse do të ketë ftesë të re.

Në lidhje me raportet mes Kurtit e Thaçit, Nagavci tha s’mund t’i kenë kaluar mospajtimet mes vete.

“Situata ku jemi tani është situatë reale. Duhet ta kemi të qartë se në ecjen tonë përpara duhet të ketë harmonizim me të gjithë”, tha ajo, duke shtuar se do të shqyrtohen të gjitha marrëveshjet e arritura gjatë periudhës së kaluar në raport me dialogun me Serbinë.

Për shtrëngimin e duarve mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Thaçi në pritjen e organizuar nga ky i fundit për 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Nagavci tha se ajo ka qenë pritje shtetërore.

“E di se ka pasur mendime të ndryshme rreth kësaj, por ne si ekzekutiv e kemi bërë hapin e parë duke respektuar institucionin e presidentit”, deklaroi Nagavci.

Sipas saj, nuk kemi të bëjmë me raportet personale, por për pritje shtetërore institucionale.

“Ne respektuam të gjithë agjendën e protokollit shtetëror gjatë gjithë ditës”, u shpreh nënkryetarja e Kuvendit.

Ajo tha se efektet e para të Qeverisë Kurti duhet të shihen nga dita në ditë.

“Hapi i parë është që të gjithë të emëruarit politikë të jenë njerëz që gëzojnë respekt dhe kredibilitet te qytetarët. Në qeverinë Kurti kemi përfshirjen më të lartë në përqindje nga përfaqësueset gratë”, theksoi Nagavci, ndërsa shtoi se pritjet janë të mëdha për qeverinë Kurti, por tha se rezultatet nuk pritet të shihen menjëherë në çdo sektor.

00:10

Nagavci: Kurti do t’u mbetet besnik të gjitha premtimeve

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, është shprehur e bindur se shefi i qeverisë, Albin Kurti, do t’u mbetët besnik premtimeve të dhëna më herët.

“Qeveria Kurti do të jetë plotësisht e angazhuar dhe maksimalisht e përkushtuar për të zbatuar çdo premtim elektoral. Ju e dini se gjatë fushatës, por edhe me herët, zoti Kurti ka treguar se do t’i prijë dialogut. Ne ish-qeverinë, zoti Haradinaj kishte thënë se heq dorë nga dialogu edhe pse e kishte obligim si udhëheqës. Zoti Kurti gjatë gjithë diskutimeve të tij, ka thënë se do të ruajë parimet bazë. Nuk mund të ketë dialog pa parime e kushte, se nuk mund të ketë marrëveshje pa një proces të dialogut dhe se marrëveshja nuk mund të përfshijë ndryshimin e territoreve, gjegjësisht cenimin e integritetit dhe sovranitetit të vendit”

Nagavci ka folur edhe për qëndrimet e mëhershme të Kurtit, se për të negociuar me Serbinë, kjo e fundit duhet të kërkojë falje.

“Ne qëndrojmë pas asaj që është interesi më i mirë i vendit, ne kemi përmendur se është shumë i rëndësishëm reciprociteti dhe kjo nënkupton se në tavalinë do të ulemi si palë të barabarta. Për qeverinë Kurti, është shumë e rëndësishme që të përfaqësohen interesat e Kosovës dhe këtë zoti Kurti e ka bërë të ditur në takimin e mbajtur javën e kaluar. Ai qartë e ka bërë të ditur se cili është interesi i Kosovës”, ka thënë ajo.

Nënkryetarja Nagavci, ka treguar se ka pajtueshmëri të plotë me partnerin qeveritar, LDK-në, për heqjen e taksës.

”Çështja e taksës është diskutuar edhe gjatë fushatës dhe kjo është pjesë e programit të harmonizuar me LDK-në dhe po, kemi pajtueshmëri të plotë”, shtoi ajo.

Nagavci është e bindur se taksa do t’i lë vend reciprocitetit të plotë me Serbinë.

“Do të vazhdojmë me reciprocitet të plotë. Edhe kur u vendos nga ish-qeveria tarifa, ne e kemi kundërshtuar, jo për veprimin, po për mënyrën. Ishte një veprim jo mirë i analizuar dhe krijoi një tension në aspektin ndërkombëtar. Ndërkohë reciprociteti është i njohur edhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare, është e drejtë bazike e çdo vendi të kërkojë respektim. Në momentin që vendosim parime, siç është reciprociteti, nuk mund të kemi arsye e as pengesa për t’u kundërshtuar nga partnerët ndërkombëtarë. Është e rëndësishme ruajtja e të gjitha aleancave dhe partnerëve strategjikë që na kanë mbështetur gjatë gjithë këtyre viteve. Me reciprocitet nuk do të cenojmë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë”, tha ajo.

Nagavci insistoi se interes i qeverisë dhe i vendit është të ketë pajtueshmëri edhe me opozitën kur bëhet fjalë për politikën e jashtme.

“E rëndësishme është se kemi pajtueshmëri të plotë LDK-VV për të gjitha veprimet tona. Ne jemi të interesuar që të kemi bashkëveprim edhe me forcat e opozitës, pasi në politikën e jashtme duhet të kemi qëndrim unik. Shpresojmë të kemi harmonizim të qëndrimeve në raport me politikën e jashtme”, ka thënë Nagavci.

23:41

Nagavci: 20 milionë eurot e kursyera do të shkojnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve

Duke folur për Ligjin për Pagat, nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci tha se ai ligj do të shqyrtohet me shumë kujdes.

“Ne duhet të presim se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Në cilindo rast, do të ketë palë të kënaqura dhe të pakënaqura. Ai Ligj kaloi në Kuvend në mënyrën që s’do duhej kaluar”, tha ajo në Interaktiv të KTV-së.

Nagavci tha se vendimi për zvogëlimin e pagave të kabinetit qeveritar hyn në fuqi menjëherë, ashtu siç ka hyrë vendimi i qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave, pra me vetëm një vendim qeveritar.

Sipas saj, Buxheti i vendit do të kursejë deri në 20 milionë euro me zvogëlimin e pagave dhe kursimet që do t’i bëjnë nga shpenzimet e luksit. Nagavci thotë se këto mjete do të shkojnë në sektorë të rëndësishëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Do të kursejmë rreth 15 milionë euro të Buxhetit, qoftë nga zvogëlimi i kabinetit, nga më shumë se përgjysmimi i të emëruarave politikë dhe nga zvogëlimi i pagave. Nëse këtu e shtojmë edhe kursimin që do të bëhet në vazhdimësi nga shpenzimet e luksit, besoj se do të jenë mbi 20 milionë euro që do të kursehen nga Buxheti, dhe këto mjete do të shkojnë për sektorët që janë të rëndësishëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve”, potencoi Nagavci.

23:37

Nagavci: Zhvendosja e fotografisë së presidentit Thaçi nga Osmani nuk përbën shkelje të ligjit

Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, në Interaktiv të KTV-së, duke folur për punën e Kuvendit dhe për veprimin e kryetares Vjosa Osmani për largimin e fotografisë së presidentit Hashim Thaçi, tha se ajo vetëm ia ka ndërruar vendin fotografisë, siç edhe ka deklaruar vetë Osmani.

“Këtu s’ka shkelje të ligjit sepse fotografia e presidentit është në vend të dukshëm”, tha ajo.

Sipas saj, duhen unifikuar veprimet mes pozitës dhe opozitës dhe të kihet kujdes që çështjet formale të mos pengojnë në përmbajtje.

“Përkundër se ka pasur reagim nga PDK-ja në seancën e fundit kur u votuan Komisionet, megjithatë ata i votuan Komisionet. Besoj që të gjitha subjektet politike do të jenë të vetëdijshëm për proceset që na presin përpara”, deklaroi Nagavci.

Ajo tha se nga ne, LVV-ja edhe LDK-ja, duhet të bëhet e qartë që të gjithë jemi krenarë me luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së dhe s’ka pasur asnjë tendencë të qëllimshme.

“Vendosja e flamurit të UÇK-së në sallën e Kuvendit nga deputetet e PDK-së, ndoshta ishte një simbolikë, që unë s’e shoh si qëllimkeqe. E kemi lënë atë dhe s’kemi ndërmarr asnjë veprim për të”, theksoi ajo.