Politikani që synon postin e Merkelit kishte paralajmëruar dhunë në Ballkan nëse preken kufijtë e Kosovës

18 February 2020 21:15

Politikani gjerman, Norbert Roettgen, që po synon të marrë kryesimin e CDU-së, kishte paralajmëruar se nëse preken kufijtë mes Kosovës e Serbisë do të kishte dhunë në Ballkan. Qëndrimin e tij për Kosovën, gjermani e kishte paraqitur në një raport konfidencial për Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, raporton KTV-ja.

Norbert Roettgen, politikani gjerman që të martën e paraqiti kandidaturën për ta pasuar kancelaren Angela Merkel, para një viti kishte paralajmëruar për dhunë në rast të korrigjimit të kufijve të Kosovës.

Njeriu që synon postin e Merkelit në krye të CDU-së kishte qenë njëri prej hartuesve të raportit konfidencial për Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.

Raporti i 2018-s trajtonte debatin rreth ndryshimit të kufijve të Kosovës dhe ishte botuar në gazetën “Koha Ditore”.

“Ndryshimi i kufijve të Kosovës nuk ka gjasa të kalojë pa dhunë”, thuhej në këtë raport, të nënshkruar pos Roettgenit edhe nga Robert Cooperi, ish-mbikëqyrësi i dialogut teknik midis Kosovës dhe Serbisë.

Ky raport i asokohe, kryesuesit të Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin gjerman i identifikonte edhe taborët pro dhe kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës.

“Të dyja palët në debatin rreth idesë së ‘korrigjimit të kufijve’ janë përcaktuar qartë në vend: Kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit, Kadri Vesesli, dhe partia opozitare Vetëvendosje e kundërshtojnë idenë, derisa presidenti Hashim Thaçi është përkrahësi kryesor”, thuhej në raport.

Roettgeni ka paralajmëruar kandidaturën për zëvendësimin e Merkelit në krye të CDU-së, pas dorëheqjes së kryetares së mëhershme, Annegret-Kramp Karrenbauer, nga ky post.

Aleatja e afërt e Merkelit kishte dhënë dorëheqje javën e shkuar, shkaku i një skandali politik të lidhur me të djathtën ekstreme.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme