Arbëri

​Shkollat profesionale në Kosovë, mundësi më e lehtë për punësim

Foto: Ksp

Shkalla e papunësisë në Kosovë vazhdon të jetë në nivel të lartë, e krejt kjo për shkak se një numër i të rinjve pas përfundimit të studimeve mbetën të papunë.

Derisa gjetja e një vendi pune konsiderohet si mision i vështirë, ndryshe mendojnë profesorë dhe nxënës të cilët kanë vendosur të zgjedhin shkollat profesionale për studim. Sipas tyre, shkollat profesionale janë zgjidhje e duhur dhe punë të garantuar për të ardhmen.

Një shkollë e tillë me investime kapitale rreth 2 milionë euro, gjendët në Prishtinë. Ajo është shkolla e mesme e lartë profesionale “Shtjefën Gjeçovi”, e cila ka këto drejtime kryesore: makineria, transporti, trafiku dhe tekstili. Në kuadër të këtyre hyjnë 13 profile.

E falë pajisjeve kualitative dhe punës së mirëfilltë që bëhet në këtë shkollë profesionale, rreth 80 për qind e këtyre nxënësve menjëherë pas përfundimit të saj punësohen.

Drejtori i shkollës “Shtjefën Gjeçovi”, Blerim Gërvalla, thotë për KosovaPress se shkollat profesionale janë promotor i zhvillimit ekonomik të një shteti, e për këtë arsye ai iu bën thirrje institucioneve që t’i përkrahin dhe të bëjnë më shumë për këto shkolla.

“Edhe koha po e vërteton që shkollat profesionale janë promotor i zhvillimit ekonomik të një shteti, edhe në shtetet e zhvilluara perëndimore ju jepet rëndësi jashtëzakonisht e madhe shkollave profesionale, prandaj unë bëj thirrje apo apel nga këtu, që edhe institucionet duhet të na japin mbështetje apo përkrahje shumë më të madhe se deri më tani, për arsye se shtysë e zhvillimit ekonomik janë shkollat profesionale”, deklaroi Gërvalla.

Gërvalla i inkurajon nxënësit që të bëhen pjesë e kësaj shkolle, pasi që sipas tij, rreth 80 për qind e nxënësve që vijojnë mësimin në këtë shkollë, punësohen dhe se diplomat e kësaj shkolle njihen edhe në vendet perëndimore. E krejt kjo falë bashkëpunimit që kanë pasur me Odën Zejtare të Dortmundit, të cilët kanë investuar në këtë shkollë rreth dy milionë euro.

“Sipas hulumtimit të fundit që e kemi bërë dhe ia kemi dërguar punëdhënësit tonë, Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional, diku 80 për qind e nxënësve që diplomojnë në shkollën tonë punësohen, apo e kanë gjetur veten në tregun e punës... Diplomat e shkollës sonë po njihen edhe në perëndim, për arsye se ne kemi pas bashkëpunim jashtëzakonisht të madh, sidomos prej vitit 2010 me Odën Zejtare të Dortmundit, ku investimet kapitale në shkollën tonë kanë qenë rreth 2 milionë euro. I kemi pajisjet më moderne, më të sofistikuara, pastaj edhe te profilet e tjera të instaluesit e ngrohjes, metal-punuesit, salduesit, pra kemi makineri të mjaftueshme që lirshëm mund ta quaj si fabrikë e kemi shkollën tonë”, u shpreh Gërvalla.

Të njëjtin mendim ndan edhe inxhinieri i makinerisë- drejtimi Saldues, Refik Ismajli, sipas të cilit shkolla profesionale “Shtjefën Gjeçovi”, i ka të gjitha kushtet për realizimin e procesit të praktikës profesionale.

Ismajli tha se kërkesa e tregut të punës për drejtimin e saldimit është jashtëzakonisht e madhe.

“Kjo shkollë i ka të gjitha kushtet për realizimin e procesit të praktikës profesionale, nxënësit e drejtimit të Saldimit janë vërtet shumë të interesuar… Kërkesa e tregut të punës për drejtimin e Saldimit është jashtëzakonisht e madhe sa që presioni i ndërmarrjeve private, që t’i marrin edhe para se të kryejnë shkollën, këtu është i madh, mirëpo ne me planprogramin e shkollës, klasën e 12-të e kemi realizimin e praktikës profesionale në punëtori jashtë dhe këta menjëherë i merr tregu i punës sepse për saldues është nevoja shumë e madhe e tregut të punës, sidomos në regjionin e Prishtinës”, u shpreh Ismajli.

E nxënësi Ilir Mustafa, në drejtimin Saldues tha se kjo shkollë i ka ndihmuar shumë. Sipas tij, krejt çka i duhet për jetë i ka mësuar në këtë shkollë.

Nxënësi tjetër Muhamet Hyseni në drejtimin Mekanik, tha se drejtimi i tij është shumë i mirë dhe sjellë shumë të ardhura. Për këtë arsye, Hyseni iu bën thirrje bashkëmoshatarëve të tij që të bëhen pjesë e kësaj shkolle.

“Ky drejtim më pëlqen shumë sepse në të ardhmen ka shumë të ardhura personale dhe kam dëshirë që në të ardhmen të jem mekanik në Kosovë. Këtu kushtet i kemi shumë të mira, kemi mirëmbajtje, higjienë dhe mjete për punim, shpresoj që të ec puna sa më mirë qysh ka ec deri tash. I nxis edhe të tjerët të vijnë në këtë drejtim sepse është drejtim shumë i mirë”, tha Hyseni.

Ai pati një lutje për qeverinë e re, që të përkrahin këtë shkollë, pasi që sipas tij, shkollat profesionale kanë rëndësi të madhe në shtetet në zhvillim.

Ndryshe, në Kosovë konsiderohet që janë 66 shkolla profesionale me 46 mijë nxënës.