Arbëri

Shoqëria civile kërkon rivlerësimin e projektit “Kosova e Re”

Projekti i “Kosovës së Re”, investimi i të cilit kap vlerën e 1.3 miliardë eurove, sipas një vlerësimi të institutit GAP, përbën ndihmë shtetërore të palejuar, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Për institutin GAP, është e rëndësishme që organet e ndihmës shtetërore ta marrin për vlerësim këtë projekt, raporton KTV.

Por kryetarja Komisionit për Ndihmë Shtetërore, Fortuna Haxhijadrija, tha se institucionet në Kosovë nuk kanë shumë informata se çka përbën ndihma shtetërore.

Ndërsa ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, tha se MSA dhe ERA janë instrumentet kyç dhe udhërrëfyese për zhvillimin e Kosovës.

“MSA dhe ERA janë instrumentet kyçe dhe janë udhërrëfyes konkretë për zhvillimin e Kosovës dhe për përparimin në rrugën drejt integrimit evropian. Prandaj, po ju them mos e bëni këtë punë për ne, por bëjeni për vetë shtetin. E dyta, ERA është një listë konkrete e fushave prioritare e gjërave që duhet bërë, ofron një mundësi unike për të përforcuar këto tri shtylla, e para qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, e dyta konkurrueshmëria dhe klima e investimeve dhe e treta punësimi dhe arsimi”, tha ajo.

Këtu u tha se qëllimi kryesor është që përmes mekanizmave të monitorimit dhe të vlerësimit të informohet publiku mbi arritjen e institucioneve relevante në zbatimin e ERA-s, në mënyrë që të kërkohet llogaridhënia.