Pak ditë para së të largohej nga Qeveria, ish-kryeministri Ramush Haradinaj ishte kujdesur që t’ia vazhdojë mandatin edhe për 3 vjet drejtorit të Doganave, Bahri Berishës.
Por emërimi për mandat të dytë nga Haradinaj, KTV-ja kishte raportuar se u bë në formë të jashtëligjshme.
Kjo ngase nuk u respektua Kodi Doganor i Kosovës, i cili parashihte shpalljen e konkursit për këtë pozitë.
E pa kaluar as një muaj nga ky vendim, pas marrjes së drejtimit të Ministrisë së Financave, Besnik Bislimi ka anuluar atë shkaku i mosrespektimit të procedurave ligjore, raporton KTV.
Ky dikaster tashmë ka hapur konkursin e ri për drejtor të përgjithshëm të Doganës së Kosovës.
“Në përputhje me nenin 5 të Kodit Doganor dhe të Akcizave, ministri i Financave dhe Transfereve, shpall konkursin për drejtor të përgjithshëm dhe themelon komision për përzgjedhjen e kandidatit të rekomanduar, të cilin më pastaj e emëron kryeministri i Republikës së Kosovës”, thuhet në përshkrimin e përgjithshëm të konkursit.
Kohavisioni ka provuar të marrë edhe një qëndrim nga drejtori aktual Bahri Berisha, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve të televizionit.
Vazhdimin e mandatit për drejtorin e Doganës, ish-kryeministri Haradinaj e kishte bërë të ditur vetëm në rrjetet sociale.