1 perditesime
12:42

Gjashtë të akuzuarit për rastin e Ivanoviqit deklarohen të pafajshëm

Gjashtë të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviq, sot gjatë seancës për shqyrtimin fillestar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, janë deklaruar të pafajshëm për përfshirjen e tyre në vrasjen e politikanit serb.

Pas leximit në gjuhën shqipe nga prokurori special Blerim Isufaj e pastaj edhe në gjuhën serbe, të akuzuarit deklaruan se e kanë kuptuar aktakuzën.

Ndërsa vetëm Nedelko Spasojeviq dhe Zhargo Jovanoviq e kanë pranuar fajësinë për veprën penale për mbajtjes të paautorizuar të armës, por jo edhe për ndihmën në vrasjen e Ivanoviqit, raporton kp.

Seanca fillestare është duke vazhduar ende derisa mbrojtja e Marko Roshiq dhe Nedelko Spasojeviq kanë kërkuar që të ndërpritet masa e paraburgimit ndaj tyre.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Marko Rashiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Radeta Basara, të cilët ngarkohen për veprat penale, pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, posedim i paautorizuar i armës, zbulim i sekretit zyrtar dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare duke manipuluar me provat.

Seanca e parë shoqëruese ishte e planifikuar për 30 dhjetor, por për shkak se aktakuza nuk ishte e përkthyer në gjuhën serbe, ajo është shtyrë për sot.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, pranë selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës.

10:49

Nis seanca fillestare për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur seanca fillestare në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Në këtë rast gjyqësor akuzohen gjashtë persona, përfshirë: Marko Rashiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Radeta Basara.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, të akuzuarit dyshohen për veprat penale: pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, posedim i paautorizuar i armës, zbulim i sekretit zyrtar dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare duke manipuluar me provat.

Në gusht të vitit 2019, asokohe ministri në detyrë i Drejtësisë në Kosovë, Abelard Tahiri, ka thënë se i dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit është Millan Radoiçiq, nënkryetar i subjektit politik serb Lista Serbe, përcjell rel.

Radoiçiq ndodhet ende në arrati.

Ky proces gjyqësor ishte paraparë që të fillonte kohë më parë, mirëpo u shty për shkak të ndryshimit të aktakuzës.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, Ivanoviq ka qenë ndër politikanët më të rëndësishëm serbë, ndërkohë që për disa vite rresht ai është përballur me një proces gjyqësor nën akuzat për “rolin e tij” në vrasjen e shqiptarëve gjatë luftës së viteve 98-99.

Ivanoviq është vrarë më 16 janar të vitit 2018 në Komunën e Mitrovicës Veriore.