Arbëri

Kosovës po i plaket stafi mjekësor

Foto: Koha

Pensionimi i mjekëve në Kosovë, krahas dukurisë së ikjes së shtuar të mjekëve nga brezi i ri, ka bërë që të ndihet mungesa e stafit shëndetësor. Mosha mesatare e mjekëve familjarë në Kosovë ka arritur në 57 vjeç, derisa mjekëve specialistë, në rreth 53 vjeç. Këto të dhëna i ka paraqitur Federata Sindikale e Shëndetësisë.

Profesionistë të fushës së shëndetësisë, thonë se në dhjetë vjetët e ardhshme, do të ketë një krizë profesionale mjekësore, pasi që siç thonë ata, një mjekut i duhen së paku 15 vjet që të pavarësohet në punë profesionale.

Njëri nga spitalet rajonale që tashmë po vuan mungesën e mjekëve, është ai i Gjakovës. Drejtori i këtij spitali, Hilmi Shala, i tha Radios Evropa e Lirë, se si pasojë e pensionimit të mjekëve tashmë ka edhe reparte që janë mbyllur, ngase nuk janë gjetur zëvendësime. Gjithashtu edhe shumë klinika tjera brenda këtij spitali, tha ai, kanë mungesë të mjekëve.

“Kemi nevojë për profile të ndryshme, për shembull, aktualisht reparti i Oftalmologjisë është mbyllur për shkak se dy mjekë që kanë punuar aty kanë ikur në pension. Gjithashtu reparti i Otorinolaringologjisë aktualisht funksionon me një mjek, pasi një tjetër ka ikur në pension. Kemi nevojë për biokimistë, infektologë, mjekë të emergjencës etj. Gjithashtu është një kirurg që së shpejti do të dalë në pension dhe do të ndihet mungesa e tij”, tha Shala.

Në anën tjetër, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, bëri të ditur se duke e parë trendin e pensionimit, por edhe duke u bazuar në moshën mesatare të mjekëve, Kosova në pesë deri në dhjetë vjetët e ardhshme, do ta përjetojë një krizë ‘të paparë’ profesionale.

“Mosha mesatare e mjekëve familjarë sipas Asociacionit të mjekëve, ka arritur në 57 vjeç, derisa mosha e pensionimit është 65 vjeç. Dhe nëse e shohim që kemi minus 200 mjekë, kjo na dërgon në konkludimin se shumë shpejtë do të mbesim pa mjekë familjarë”, tha ai.

Të plotë mund ta lexoni në REL