Arbëri

Osmani thotë se orientimi i Kosovës është drejt anëtarësimit në BE

Foto: Driton Paçarada / KD

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova janë pajtuar për forcimin e bashkëpunimit reciprok në fushën e legjislacionit.

Pas takimit, kryetarja e Kuvendit të Kosovës tha se orientimi i popullit të Kosovës e po ashtu edhe institucioneve të vendit vazhdon të mbetet anëtarësimi në BE.

Ajo gjithashtu tha se ka shumë projekte të shumta që BE i ka shtyrë përpara, disa prej të cilave sipas saj kishin për qëllim fuqizimin e demokracisë parlamentare, raporton KP.

“Në emër të Kuvendit të Kosovës u zotova që ky bashkëpunim vetëm të thellohet. Tash e tutje është tejet me rëndësi që në krye të institucioneve kemi njerëz që më shumë se 20 vjet kanë punuar në ndërtimin e relacioneve me shtetet e BE-së individualisht, por edhe me BE në tërësi. Dhe e kuptojnë me të drejtë që orientimi i qartë strategjik i popullit të Kosovës dhe institucioneve të Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në institucionet tjera euroatlantike”, tha Osmani.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova tha se zgjedhja e Vjosa Osmanit në postin e kryetares së Kuvendit paraqet politikën e fuqizimit të grave, gjë që tha se janë duke e promovuar për shumë vjet në Kosovë.

“Ne u pajtuam me kryeparlamentaren e re se ne do të forcojmë bashkëpunimin tonë. Ne jemi duke pritur tani për formimin e komisioneve të ndryshme dhe natyrisht ne dhe ju do të angazhohemi, si gjithmonë duke filluar të punojmë në pjesë të ndryshme të legjislacionit. Ne do të dëshironim të shohim përmirësim dhe një mënyrë më energjike të Kosovës për në BE, tashmë Kosova ka arritur shumë sidomos në legjislacion, por ne duam të shohim një plan shumë më të parashikueshëm se si funksionon Kuvendi dhe natyrisht jemi të hapur për çfarëdo lloj mbështetje që mund t'i japim për Kuvendin në projektet që kemi bërë dhe do të bëjmë përsëri”, deklaroi Apostolova.