Arbëri

Agron Bajrami për KoSSev-in: Me Kurtin e Osmanin në krye, në Kosovë asgjë nuk do të jetë më njësoj!

Ndonëse me vonesë, formimi i Qeverisë së re të Kosovës është lajm i shkëlqyeshëm. Kështu i ka thënë portalit në gjuhën serbe, KoSSev, kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, Agron Bajrami, transmeton Koha.net.

“Ishte koha e fundit. Vetë koalicioni LVV-LDK, kuptohet, ishte i pritshëm në fakt”, është shprehur Bajrami, duke rikujtuar se një koalicion i tillë ishte zëri i popullit i dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Sa i përket vetë përbërjes së Qeverisë, kryeredaktori i “Kohës Ditore” vlerëson se edhe aty ka “lajme të mira”.

“Kemi një qeveri me përbërje të ndryshme – pesë ministre, si dhe gruan e parë kryetare të parlamentit. Parashtresa e kryeministrit Kurti përmbante plane shumë ambicioze, dhe mendoj se koha do të dëshmojë nëse kjo qeveri do të jetë në gjendje t’i arrijë qëllimet që ia ka vënë vetes. Nëse ia del gjysmës së asaj që e ka paraparë, do të jetë mirë për të gjithë”.

Qeveria e votuar sot (bëhet fjalë për datën 3 shkurt – sqarim i përkthyesit) sipas Bajramit është e re në kuptimin e plotë të fjalës:

“Nuk bëhet fjalë vetëm për njerëz të rinj, por edhe për politikë të re dhe mënyrë të re të punës. Dhe jo vetëm pse Kurti dhe partia e tij janë për herë të parë në pushtet në nivel të vendit, por edhe ngase kanë ide të qarta se çfarë duan në shumë sektorë, veçmas në fushën e sundimit të të drejtës, në luftën kundër korrupsionit, ekonomi, shëndetësi dhe arsim”.

Ndonëse i matur sa i përket parashikimit të rezultateve që do t’i arrijë LVV në koalicion me LDK-në, Bajrami prapë thekson: “Por çdo gjë flet se do të shohim ndryshime të mëdha, shpresoj rrënjësore”.

Një maturi shtesë se megjithatë “nuk shkëlqen çdo gjë” e sheh “në faktin se Lista Serbe ka monopolin në përfaqësimin e serbëve në institucione”, por ka edhe sinjale të tjera që tërheqin vëmendjen:

“Nga ana tjetër, e pamë se opozita e re – partitë që deri dje ishin në pushtet – sot u paraqitën shumë agresive, që është shenjë se jo vetëm që janë humbës të këqij, por edhe se raportet e pushtetit të ri me opozitën do të jenë shumë të ndërlikuara”. Prandaj është e pritshme se midis këtyre palëve do të ketë tensione, ka tërhequr vëmendjen Bajrami.

“E gjithë kjo mund të ketë ndikim negativ dhe gjërat nuk mund të parashikohen. Por mendoj se se të gjithë ne jemi mësuar me situatat e paparashikueshme në Kosovë dhe përgjithësisht në rajon. Kështu që në fakt kjo nuk është diçka e re”, ka shtuar ai.

Duke rikujtuar se ka edhe të panjohura të tjera dhe se është herët të parashikohen gjërat, Bajrami ka theksuar se shumë shpejt do të shihet nga do të shkojë qeveria e re kur është fjala për “proceset më të rëndësishme që e presin Kosovën – nga dialogu me Serbinë deri te integrimet europiane”.

“Ajo që është e sigurt, me Kurtin në krye të Qeverisë, por edhe me zonjën Osmani në krye të Parlamentit, Kosova nuk do të jetë më siç ishte deri më tash!”, është shprehur Bajrami duke iu përgjigjur pyetjes së KoSSev-it në lidhje me qeverinë e re në Prishtinë, transmeton Koha.net.