Arbëri

Haradinaj mirëpret arritjen e marrëveshjes për bashkë-qeverisje mes VV-LDK, por thumbon Kurtin

Foto: Driton Paçarada / Koha

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, e ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes për bashkë-qeverisje mes Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Lajmi që i gjithë procesi negociues është përmbyllur me dakordim nga LVV dhe LDK është veprim i duhur dhe konkretizimi i mirë, që respekton rezultatin zgjedhor. Tashmë është e domosdoshme të formohet qeveria sa më shpejtë”, shkruan Haradinaj në facebook, transmeton Koha.net.

Por, ndonëse e ka mirëpritur këtë vendim, Haradinaj s’la pa e thumbuar mandatarin për kryeministër, Albin Kurtin.

Thotë se qëndron i bindur se agonia e tejzgjatjes për ndarje të posteve, “është shpërfaqja e parë e mashtrimit të madh me të cilin do të identifikohet Kurti si kryeministër”.

“Kosovën e presin punë të mëdha dhe procese të rëndësishme, për të cilat duhet lidership, qëndrime konsistente dhe institucione kredibile dhe të qëndrueshme. Qëndroj i bindur se agonia e tejzgjatjes për ndarje të posteve është vetëm shpërfaqja e parë e mashtrimit të madh me të cilin do të identifikohet Albin Kurti si Kryeministër”, përfundon Haradinaj.

Kujtojmë se sot Grupi Koha ka raportuar se është arritur marrëveshja për bashkë-qeverisje mes këtyre dy partive. Glauk Konjufca, do të japë dorëheqje nga posti i kryeparlamentarit e sipas të gjitha gjasave, atë post do ta marrë Vjosa Osmani e LDK-së.

Nesër gjatë ditës, pritet të mblidhen organet drejtuese të të dyja këtyre partive për ta nënshkruar marrëveshjen.