Historia nëntëvjeçare e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, trajtohet gjerësisht në numrin e veçantë të së dielës në Koha Ditore.
Shkrimi kryesor me titull “Teatri i Brukselit”, tregon ecurinë e procesit që fillimisht nisi si dialog teknik, derisa trajton edhe pasojat që Federica Mogherini ka lënë pas vetes.
Aty mund të lexoni edhe për rritjen e angazhimit direkt të Amerikës në dialog, përmes dy përfaqësuesve të posaçëm të saj.
Në intervistë, ambasadorja kroate në Prishtinë, Danijela Barishiq, flet për dialogun dhe idenë e ndryshimit të kufijve.
Rrëfimi për vrasjen e tre burrave që mbrojtën nxënësit e arrestuar nga forcat serbe para 27 vjetësh, vjen në reportazh.
Faqet e botës sjellin rrëfimet nga Vuhani, qyteti kinez me miliona banorë, në të cilin shpërtheu virusi vdekjeprurës i quajtur korona.
Për bashkësinë e vogël hebraike të Prizrenit mund të lexoni në Kosovarçe.
Piktori nga Shqipëria, Dastid Miluka, flet në rubrikën e kulturës, për kujtimet dhe nostalgjinë që transmeton nëpërmes punimeve të tij.
Për traditën e thurjes me kërrabëza, shfletoni faqet e monumentit.
Kush janë lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës, që u qëndrojnë besnikë klubeve të tyre, e kuptoni te pjesa e sportit.
Ndërsa, si zakonisht, as këtë javë nuk mungojnë artikuj të tjerë të veçantë nga vendi dhe bota.