Arbëri

Apostolova: S’na takon neve të ndërhyjmë në procesin e formimit të qeverisë, por është mirë të bëhet shpejtë

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, edhe njëherë ka folur për prezencën e QUINT-it, në takimin e mbrëmshëm mes kryetarit të Vetëvendosjes, mandatar për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, dhe kreut të LDK-së, Isa Mustafa.

Ajo theksoi dhe njëherë se nuk u takon atyre të ndërhyjnë në procesin e formimit të qeverisë.

“Kemi dëgjuar palët nuk kemi advokuar për një zgjidhje të veçantë në takimin e mbrëmshëm me partitë që po negociojnë arritjen e koalicionit. Nuk na takon neve të ndërhyjmë”, tha ajo, raporton Koha Ditore.

Ajo gjithashtu theksoi se është “me rëndësi që ta kemi shpejt formimin e qeverisë në funksion të implementimit të reformave në rrugën drejt integrimit”.

Këto komente Apostolova i bëri në takimin me ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq, ku paraqitën sot prioritetet e Presidencës së Kroacisë të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Kujtojmë se me propozim të Kurtit, dje u ftuan ambasadorët e QUINT-it në takim me Mustafën.

Aty është paraqitur ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abott, ai gjerman Christian Heldt, si dhe ambasadori italian, Nicola Orlando. Ambasadori i ShBA-së, Philip Kosnett, nuk ka marrë pjesë, por e ka dërguar Jessica Long, e cila është këshilltare ekonomike dhe politike në Ambasadë. Edhe Franca është përfaqësuar me zëvendësambasadorin.

Pas takimit në Kuvendin e Kosovës, ambasadori britanik Abott ka thënë shkurt se nuk kanë shkuar për të dhënë ndonjë këshillë dhe se nuk ndërhyjnë në procesin e formimit të institucioneve.

“Në prag të spekulimeve të fundit ne do të donim të sqaronim qëndrimin tonë në lidhje me procesin e formimit të Qeverisë në Kosovë. Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë... Përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës. Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqendrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”, u tha në deklaratën e Ambasadës së Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.