Sindikata evropiane, SBASHK-un e konsideron pjesë të Serbisë, Jashari e quan “gabim teknik”

Donika Voca Gashi Donika Voca Gashi 24 January 2020 22:11

Komiteti i Sindikatave të Bashkuara të Evropës, Kosovën nuk e konsideron shtet.

Kjo organizatë, ditë më parë, përmes një letre drejtuar presidentit Hashim Thaçi dhe Avokatit të Popullit, i doli në mbështetje SBASHK-ut duke kërkuar miratimin e Ligjit të pagave për mësimdhënësit, raporton KTV.

Ndonëse ka vite që SBASHK-u është pjesë e këtij komiteti, në ueb-faqen e kësaj organizate, renditet te sindikatat që janë pjesë e Serbisë.

Në mesin e 51 shteteve janë edhe ato të rajonit si Shqipëria e Maqedonia e Veriut, ndërkaq Kosova nuk figuron askund si shtet.

SBASHK-u mund të gjendet vetëm te pjesa ku janë të paraqitura sindikatat nga Serbia.

Derisa adresa e SBASHK-ut shkruan Prishtina, shteti figuron si Serbia.

Por, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, është i bindur se ky është vetëm një gabim teknik i këtij komiteti.

Jasharaj thotë se në të gjitha takimet e këtij komiteti, SBASHK-u gjithmonë është paraqitur dhe ka marrë pjesë me logo dhe flamur të Kosovës dhe se asnjëherë nuk është kontestuar shtetësia nga ana e komitetit.

KTV-ja ka kërkuar sqarime edhe nga Komiteti i Sindikatave të Bashkuara Evropiane, se përse Kosovën e ka renditur si pjesë të Serbisë dhe nëse SBASHK-un e njeh si sindikatë të Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndryshe, pjesë e këtij komiteti janë 132 sindikata të arsimit dhe ky komitet përbëhet nga sindikata kombëtare të arsimtarëve dhe stafi tjetër në arsimin e përgjithshëm.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme