Arbëri

Shala u thotë prokurorëve e gjyqtarëve “t’i marrin seriozisht këshillat e KE-së dhe ta rrisin profesionalizimin”

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, në “Express Intervistën” në KTV foli rreth raportit të ekspertëve të Komisionit Evropian lidhur me vlerësimin që ua kanë bërë prokurorëve dhe gjyqtarëve të Kosovës.

Ai ka pranuar se ka ngecje e efikasitet të dobët të prokurorëve.

“Raporti e tregon të vërtetën se si punohet në sistemin e drejtësisë të Kosovës. Kemi pak ngecje të profesionalizimit nga ana e prokurorëve, sepse provat deri në dënim janë të mangëta. Këtë fakt e ka vërtetuar komisionit Evropian që ishte në vizitë në Kosovë”, tha Shala.

Shala tha se lëndët e karakterit korruptiv janë më të ndjeshmet në Kosovë, sepse duhen hetime shumë profesionale, e sipas tij, tek prokurorët e gjykatësit në Kosovë kjo s’po bëhet. Këto (lëndët korruptive) tha ai, janë komplekse dhe bëhet problematike të nxirret një provë.

“Prokurorët dhe policët hetues nuk kanë përvojë në këtë aspekt. Ankesat e KE-së, prokuroria duhet t’i merr shumë seriozisht dhe t’i bartë te prokurorët”, tha ai.

Raporti i ekspertëve të Komisionit Evropian nxjerr në pah problemet e Policisë dhe Prokurorisë në ndjekjen dhe hetimin e mirëfilltë të rasteve të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Me theks të veçantë kritikohet Prokuroria Speciale.

Shala tha se ka probleme se me gjysmë prova po ngritën akuza.

“Prokurori duhet ta argumentojë akuzën. Gjykata e ka rolin dhe të vendos në mënyrë meritore”, tha ai.

Shala tha se shpesh ndodh që një person ka kryer vepër penale por Prokuroria s’ka mundur ta argumentojë.

“Në vende tjera të botës, hetimet zgjasin me vjet të tëra, derisa kur ngritën aktakuza të binden të gjithë për dënim. Nuk duhet arrestuar i dyshuari për vepër korrupsioni, por hetuesit pa përvojë, me gjysmë prova po i arrestojnë”, tha ai.

Kryetari i Apelit tha se nuk kanë të drejtë që të sugjerojnë Këshillin Prokurorial për të bërë më shumë hetime.

“Kur i kemi refuzuar akuzat e tyre i kanë marrë si kritika të njëanshme. Ata duhet ta pranojnë realitetin. T’i marrin seriozisht këshillat e KE-së dhe ta rritin profesionalizimin. Përndryshe, kuptohet se nuk duan të kuptohen. Njëjtë vlen edhe për gjyqësorin, jo vetëm prokurorinë”, tha ai.

Shala tha se shpesh ndodh që kanë “kompromise në heshtje” mes prokurorëve dhe gjyqtarëve.

“Shpesh thonë prokurorët që vetëm duan t’i shpallin fajtor”, tha ai.

Shala tha se imazhi i gjyqësorit humb pikërisht në dënime pa prova, por me dënim simbolik.

“Gjyqtari që e shqipton dënimin me kusht, kur i një i dënuar ka kryer vepër të rëndë penale, më mirë është të lirohet sesa me dënu me kusht apo simbolikisht”, tha ai.

Shala tha se as gjyqësori as prokuroria e as avokatura s’janë në nivel të kënaqshëm.

“Shpesh ndodh që prokurori as s’i ka bërë hetimet, dhe del në gjykatë me rol pasiv”, tha ai.

Shala theksoi se shqiptojnë dënime të rënda, por, Gjykata Supreme, tha ai, “i prishë”.

“Te çështja civile kemi ngecje. Lëndët presin deri në 5 vjet, kohët e fundit në Apel kanë rënë në 3 vjet. Por është kohë e stërzgjatur”, tha ai, duke shtuar se kanë rritur numrin e gjyqtarëve.

Kujtojmë se raporti i ekspertëve të KE-së kanë vënë në pikëpyetje cilësinë e aktakuzave të ngritura, mënyrën se si prokurorët mbrojnë lëndët në gjykatë, mungesën e provave në aktakuza, dyshimet nëse prokurorët specialë dinë të drejtojnë ndonjë hetim kompleks, mungesën e prokurorëve të specializuar, mospërfshirjen në hetim të “kokave” të organizatave kriminale etj.