Mbërrin në Tiranë ambasadorja e re e SHBA-së

Mbërrin në Tiranë ambasadorja e re e SHBA-së

22 January 2020 16:17

Trembëdhjetë ditë pasi bëri betimin në Departamentin Amerikan të Shtetit, mbërrin në Shqipëri shefja e re e diplomacisë së Washingtonit në Tiranë.

Pas Mariza Linos dhe Marcie Ries, Yuri Kim është e treta diplomate femër që do të drejtojë selinë e Washingtonit në Rrugën e Elbasanit.

Yuri Kim vjen në Tiranë pasi e nominuara e Shtëpisë së Bardhë përpara saj, Kathleen Kavalec, nuk mundi të merrte dritën jeshile nga senati si pasojë e një lobimi kundra saj për të cilin Fiona Hill, ish-këshilltare për sigurinë e presidentit Trump, tha në kongresin amerikan se erdhi nga një parti politike në Shqipëri.

Pasardhësja e Donald Lusë, Youri Kim ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore.

Ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.

Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA-në në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë.

Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA-së në Oqeanin Paqësor.

Top Channel thotë se Ambasadorja Yuri Kim në tre vitet e ardhshme do të udhëheq prioritet e SHBA-së për Shqipërinë, duke nisur nga konsolidimi reformës në drejtësi me SPAK dhe BKH, vijimin e ndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar, minimizimin e veprimeve të Iranit në vend, përfshi influencën ruse, pa harruar shqetësimin më të fundit amerikan, përpjekjet e Kinës në kontrollim e disa sektorëve strategjikë në Shqipëri.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme