Vendimet që miratoi sot Qeveria në detyrë e Kosovës

Vendimet që miratoi sot Qeveria në detyrë e Kosovës

22 January 2020 15:27

Qeveria e Kosovës zhvilloi sot mbledhjen e radhës në të cilën ka miratuar vendimin për krijimin e Grupit Punues për themelimin e Zonës Ekonomike Zvicerane, ka shqyrtuar Programin e Reformave në Ekonomi për vitin 2020 dhe vendime tjera nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Me vendimin e miratuar sot nga kabineti qeveritar është themeluar Grupi Punues për themelimin e Zonës Ekonomike Zvicerane. Grupi punues ka për detyrë, bazuar në Ligjin për Zonat Ekonomike, të identifikojë legjislacionin, lokacionin, procedurat dhe të gjitha çështjet tjera relevante që mundësojnë themelimin e Zonës së Ekonomike Zvicerane. Si rezultat Grupi punues do të përgatisë tërë dokumentacionin relevant bazuar në legjislacionin në fuqi që i mundëson Qeverisë së Republikës së Kosovës themelimin e Zonës Ekonomike Zvicerane.

“Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike i është vazhduar mandati me vendim të Qeverisë edhe për një periudhë 3 vjeçare. Edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës i është vazhduar mandati për 3 vjet”, thuhet në kumtesën për media.

Në kumtesë theksohet se nga kabineti qeveritar ka marrë aprovimin edhe Programi për Reforma në Ekonomi 2020. Ministria e Financave këtë dokument do ta dorëzojë tek zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, Programin për Reforma në Ekonomi do t’ia procedojë për informim Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Programi për Reforma në Ekonomi dorëzohet në Komisionin Evropian në baza të rregullta vjetore dhe përgatitet nga Zyra për Planifikim Strategjik pranë Zyrës së Kryeministrit, Departamentit për Politika Ekonomike dhe Publike në kuadër të Ministrisë së Financave dhe koordinatorët e ministrive përkatëse dhe është mjet përmes të cilit Komisioni Evropian monitoron performancën tonë si shtet kandidat potencial në transformimin e ekonomisë dhe arritjen e standardeve të tregut Evropian”, thuhet në kumtesën nga qeveria në detyrë.

Dokumenti ka analiza të detajuara për gjendjen e tanishme dhe identifikon masa konkrete për reforma strukturore në nëntë fusha me prioritet si:

· Menaxhimi i Financave publike;

· Fusha e Energjisë dhe Transportit;

· Sektorët strategjik, si Bujqësia, Industria dhe Shërbimet;

· Mjedisi, bizneset dhe ulja e ekonomisë joformale;

· Inovacioni dhe ekonomia digjitale;

· Tregtia;

· Arsimi;

· Tregu i punës dhe përkujdesja sociale.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Rregulloren për standardet e organizimit të brendshëm, sistematizimin e vendeve të punës dhe bashkëpunimin në institucionet e administratës shtetërore dhe agjencitë e pavarura.

Qeveria i ka rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministrin e Financave për nënshkrim të marrëveshjes së kredisë mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Unikredit Bank Austria AG, për financimin e projektit “Krijimi Qendrave e-Testuese dhe përmirësimin e mëtutjeshëm të shërbimeve të e-Arsimit për arsimin para universitar në Kosovë”. Shuma e kredisë së negociuar është 4,998,000 (katër milion e nëntëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë) euro.

Edhe vendimi për aprovimin e nismës për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë në fushën e transportit rrugor ndërkombëtarë të udhëtarëve dhe mallrave, është miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë.

Vendimi përfundimtar për shpronësimin për interes publik është miratuar sot nga kabineti qeveritar për pronat që preken nga zgjerimi i mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për Projektin e zgjerimit të mihjes sipërfaqësore për eksploatim prodhimin e energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës në Zonën Kadastrale të Shipitullës në komunën e Obiliqit.

Në mbledhje gjithashtu është aprovuar Rregullorja për pagat, shtesat mbi pagë dhe kompensimet tjera në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Integrimeve Evropiane është emëruar Koordinator Nacional për Donacione, IPA, TAIEX dhe programet tjera që ofrojnë donacione për Republikën e Kosovës.

Për nevojat e pagesës së dymbëdhjetë punonjësve të angazhuar në Rezidencën “Ibrahim Rugova” për vitin 2020, qeveria ka ndarë mjetet në vlerë 57,944 (pesëdhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e katërdhjetë e katër) euro.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme