Me ndërmjetësim amerikan, iniciohet kthimi i linjës ajrore Kosovë-Serbi pas 21 vjetësh

Ardiana Thaçi Mehmeti Ardiana Thaçi Mehmeti 20 January 2020 19:13

Pas 20 vjetësh kontestimesh të ekzistencës së hapësirës ajrore të Kosovës nga Serbia, palët kanë nënshkruar një letër qëllimi për t’i lejuar kompanisë gjermane “Lufthansa” që ta hapë korridorin ajror mes shteteve.

Në Ambasadën amerikane në Berlin, drejtori i Aviacionit Civil, Eset Berisha, ka hedhur nënshkrimin në dokumentin që i jep pëlqim “Lufthansas” që të aplikojë për leje në Kosovë, raporton KTV.

Por Berisha, për KTV-në, ka thënë se kjo nuk është marrëveshje ndërkombëtare dhe, sipas tij, është bërë me inicim të Ambasadës amerikane në Gjermani.

Ai ka treguar se fillimi i linjës ajrore Prishtinë-Beograd mund të bëhet vetëm pas aranzhimeve mes autoriteteve të aviacionit dhe NATO-s në kuadër të mekanizmit për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit Perëndimor.

Por, përballë tij, ka qenë një zyrtar i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Serbisë, e cila menaxhon hapësirën ekonomike ajrore të Serbisë, që në Kosovë është kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës.

Berisha, ani pse drejtori i një institucioni të pavarur, ka theksuar se në Berlin ka qenë i deleguar i ministrit në detyrë të Infrastrukturës Pal Lekaj.

Ai ka shtuar se letra e pajtimit ndodhet në Ambasadën amerikane dhe sapo t’u dorëzohet palëve, ajo do të publikohet.

Njeriu, i cili u tha se është iniciator për këtë marrëveshje, i dërguari i presidentit të SHBA-së për bisedimet Kosovë -Serbi, Richard Grenell, meritat ia ka atribuuar presidentit amerikan. Donald Trump.

“Presidenti Donald Trump edhe një herë na çoi në një fitore historike. Kosova dhe Serbia sot nënshkruan marrëveshje për fluturimet e para direkte midis Prishtinës dhe Beogradit pas 21 vjetësh. Faleminderit ‘Lufthansa’, NATO, Robert C O’Brien dhe liderët e Kosovës dhe të Serbisë”, shkroi Grenell.

Entuziast është shfaqur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e ka mirëpritur nënshkrimin e letrës së synimeve.

Ndërkaq, pasdite ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili e ka cilësuar hap gjigant këtë që sipas tij do të ndikojë në avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe konsolidimin e sovranitetit të Kosovës.

Por kjo letër, sipas NATO-s, është nënshkruar duke u bazuar në rezolutën 1244, sekretari i së cilës ka kujtuar se komandanti i misionit të KFOR-it e ka autoritetin e hapësirës ajrore mbi Kosovë.

“E mirëpres qëllimin e ‘Eurowings’ dhe Grupit ‘Lufthansa’ për të vendosur fluturime të drejtpërdrejta midis Beogradit dhe Prishtinës. Sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, komandanti i misionit tonë të KFOR-it e ka autoritetin e hapësirës ajrore mbi Kosovë dhe NATO-ja do të mbetet e përfshirë përmes procesit afatgjatë të Takimit të Normalizimit të Aviacionit në Ballkan, të cilin e udhëheqim ne”, thuhet në letrën e Shtabit Qendror të KFOR-it.

Por, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka thënë se nënshkrimi i këtyre letrave është hap i rëndësishëm, megjithëse ka shtuar se linja ajrore Beograd-Prishtinë mund të jetësohet vetëm pas heqjes së taksës që Kosova u ka vënë prodhimeve serbe dhe pas rikthimit të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme