Arbëri

Shqipëria eksportoi në Kosovë 243 milionë euro mallra në vitin 2019

Foto: Koha / ilustrim

Kosova është vendi i parë me të cilin Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve për vitin 2019, në krahasim me një vit më parë.

Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT (Instituti Shqiptar i Statistikave), Shqipëria ka eksportuar në Kosovë për vitin 2019 mallra me vlerë prej 243 milionë eurosh duke shënuar një rritje me 10% krahasuar me vitin 2018, shkruan Koha Ditore.

Eksportet e Shqipërisë në Kosovë janë 385 % më të larta sesa importet nga Kosova, ku deficiti tregtar i Kosovës është thelluar duke regjistruar shifrën e më shumë se 180 milionë eurove. Kosova ka eksportuar në Shqipëri për vitin 2019 mallra me vlerë prej 63.2 milionë eurosh, ose rreth 13% më pak se në vitin 2018 ku kishte eksportuar rreth 72.7 milionë euro.

Edhe për muajin dhjetor të vitit që sapo lamë pas Kosova radhitet në vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje të eksporteve. Në muajin dhjetor të vitit 2019 vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve në krahasim me dhjetor 2018 janë: Spanja (+115,7 %), Kosova (+3,0 %) dhe Greqia (+18,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-9,8 %), Kina (16,5 %) dhe SHBA-ja (55,2 %).

Gjatë vitit 2019, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova (+10,0 %), Gjermania (+5,6 %) dhe Maqedonia (+0,3 %). Ndërsa vendet, me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-4,0 %), Spanja (1,4 %) dhe Greqia (-2,5 %).

Shkëmbimet tregtare për vitin 2019 me vendet e BE-së zënë 68,1 % të të gjithë tregtisë. Në periudhën janar – dhjetor 2019 eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 76,6 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 63,9 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (34,4 %), Greqia (7,5 %), Kina (7,4 %) dhe Turqia (7,2 %).

Deficiti tregtar arriti vlerën e rreth 2 miliardë e 857 milionë eurove, duke u rritur me 5,8 %, krahasuar me vitin 2018.