Arbëri

Rënia e nivelit të ujit rrit shqetësimet për cilësinë e tij

Foto: Koha / ilustrim

Liqeni i Batllavës dhe ai i Badovcit, janë burimet kryesore të furnizimit me ujë të pijes për qytetarët e Prishtinës me rrethinë dhe disa komunave tjera. Gjendja e këtyre liqeneve, sa i takon mirëmbajtjes, nuk është në nivelin e duhur, thonë ekspertët dhe qytetarët.

Liqeni i Batllavës që gjendet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, ka nisur të shterojë si pasojë e mungesës së reshjeve atmosferike. Niveli i ujit, ka rënë në minus 10 metra nga kuota normale.

Krahas shqetësimeve për rënien e nivelit të ujit, një nga problemet më të mëdha për këtë liqe, është ndotja e tij nga ujërat e zeza.

Banorët e kësaj ana, për shkak të mungesës së rrjetit të kanalizimit dhe impiantit për filtrimin e ujit, ujërat e zeza i lëshojnë për vite me radhë në këtë liqe.

Përfaqësuesi i banorëve në fshatin Orllan, Nuhi Selimi thotë për Radion Evropa e Lirë se si pasojë e mungesës së rrjetit të kanalizimit, banorët janë të detyruar që ujërat e zeza të hedhin në liqe.

"Është mëse e vërtetë që vetë qytetarët, po të pyeten tregojnë, se ata kanalizimin krejt në liqe e qesin se nuk ka ku tjetër. Ata e largojnë prej shtëpisë... e kanë bërë një rrjet vetë privat sa kanë mundur, e ai diku duhet të derdhet. Ku të derdhet pos në pellg të liqenit", tha Selimi.

Në këtë rajon para dy vjetësh ka nisur të ndërtohet një impiant për përpunimin e ujërave të zeza, por ende nuk është përfunduar. Banorët thonë se edhe pas ndërtimit të tij, nuk është planifikuar të lidhen në rrjetin e kanalizimit.

"Ujërat e zeza, diku 80 për qind të familjeve, shtëpive, krejt do t'i derdhin prapë në liqe se nuk ka ku të derdhen, duke përfshirë edhe shkollën. Nuk ka ku të derdhen edhe ato shtëpitë asnjë nuk ka hyrë në projekt, që është shqetësim", tha Selimi.

Nazmi Zeka, banor i fshatit Orllan thotë se autoritetet nuk iu kanë bërë zgjidhje për ujërat e zeza.

"Diku derdhen [ujërat e zeza] kurrfarë vendi të posaçëm nuk ka për të bërë një zgjidhje. Disa kërkesa janë bërë, duhet të merren parasysh ato punë, edhe uji i pijshëm edhe puna e ujërave të zeza", thotë ai.

Mbi 600 mijë banorë, sipas autoriteteve, furnizohem me ujë nga Liqeni i Batllavës dhe Badovcit.

Ilir Abdullahu, kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, thotë se shumica e qytetarëve të Prishtinës dhe komunave të tjera përreth, janë përdorues të ujit të pijshëm dhe të gjithë, siç thotë ai, duhet të jenë përgjegjës për ruajtjen dhe mbrojtjen e burimeve ujore, në veçanti të liqeneve akumuluese sipërfaqësore, siç janë Batllava e Badovci.

Ai thotë se në krahasim me Liqenin e Badovcit, ai i Batllavës është më i ndotur.

"Ujërat e zeza kanë pasur një filtrim në tokë, do të thotë nuk ka pasur kanalizime që do të shkarkoheshin në pika të koncentruar që do të ishte ndotja e madhe edhe kur ja shtojmë kësaj që Liqeni i Batllavës ka një sipërfaqe të madhe, do të thotë është një ujëmbledhës diku 34 milionë metra kub ujë, kjo nuk ka mundur të ketë edhe ndikim në kualitetin e ujit të pijes. Që të hiqen (ujërat e zeza), është i planifikuar rrjeti i ujërave të zeza dhe impianti", tha Abdullahu.

Edhe në Liqenin e Badovcit ka rënë niveli i ujit. Pranë këtij liqeni shihet papastërti e madhe. Veç kësaj, kompani ndërtimore kishin planifikuar që të ndërtojnë pranë këtij liqeni një lagje luksoze.

Planet e tilla po kundërshtohen ashpër nga qytetarët e Prishtinës dhe banorët që jetojnë në fshatrat pranë liqenit.

Pak kohë pasi janë bërë të ditura planet për ndërtimin e lagjes, shumë qytetarë i kanë kundërshtuar ndërtimet në atë zonë dhe kanë nisur nënshkrimin e një peticioni online, duke iu kërkuar autoriteteve llogari pse fillimisht ishin pajtuar me kushtet e ndërtimit.

Ardian Ndrecaj, nga Grupi për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit, thotë se qëllimi i grupit nuk është kundërshtimi i projekteve, por vendi dhe dyshimet për ndotjen e liqenit dhe ambientit në përgjithësi.

"Kosova është një nga vendet që është në rrezikshmëri për ujë. Është një vend me më së paku ujë për kokë banori. Megjithëkëtë, ata vazhdojnë që të planifikojnë ndërtime në brigjet e liqenit prej nga siguron ujin e pijes një e treta e qytetit. Po ashtu, është me rendësi se nuk ka transparencë për atë se në bazë të cilit ligj po ndërtohet aty, në bazë të cilës rregullore po ndërtohet aty. Ne kërkojmë nga institucionet, nga komuna, nga ministria (e Mjedisit, Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor) që të na sqarojnë në bazë të cilit ligj janë lëshuar kushtet e ndërtimit", tha Ndrecaj.

Fejzulla Krasniqi, banor i fshatit Zllatar të Komunës së Prishtinës, i cili gjendet afër Liqenit të Badovcit, mendon se në asnjë rast nuk do të duhej lejuar ndërtimet në afërsi të këtij liqeni.

"Katastrofë është kjo për rininë, për shtetin tonë. Ka vende diku tjetër për të ndërtuar, në natyrë e jo aty buzë liqenit, aty me prish ujin. Ne shpresën aty e kemi, të tjera vende për furnizim me ujë nuk kemi. Unë nuk di çfarë logjike, po mendoj kanë këta njerëz aty. Të gjitha gjërat aty, mbeturinat, ujërat e zeza, kah depërtojnë? Ujërat e zeza shkojnë në liqen. Ujërat e zeza edhe nga Mramori vijnë aty, nga Slivova, unë nuk di se si janë duke u menduar këto gjëra", tha Krasniqi.

Të plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë