Shoqëria civile kërkon ndalimin e gjuetisë për pesë vjet Foto: Ilustrim

Shoqëria civile kërkon ndalimin e gjuetisë për pesë vjet

Ilir Osmanaj Ilir Osmanaj 18 January 2020 07:02

Me një vendim të sjellë para dy ditësh nga Drejtoria Qendrore e Inspektoratit për Pylltari dhe Gjueti i Agjencisë Pyjore të Kosovës, e të cilin vendim Komuna e Pejës e ka publikuar të premten në faqen e saj zyrtare, ka ndaluar çdo lloj aktiviteti të gjuetisë në territorin e kësaj komune, deri në rithemelimin dhe dhënien në menaxhim të vendgjaheve të përbashkëta.

Me këtë vendim është obliguar Drejtoria komunale për Bujqësi dhe Pylltari që të marrë të gjitha masat për parandalimin e gjuetisë së kundërligjshme dhe që në afat prej 30 ditësh të fillojë procedurat e rithemelimit të vendgjaheve të përbashkëta dhe dhënien e tyre në menaxhim, shkruan sot Koha Ditore.

Ky vendim është sjellë, siç thuhet në të, pasi që në këtë komunë më herët kanë qenë të themeluara dy vendgjahe të përbashkëta, por pas hyrjes në fuqi në vitin 2013 të Ligjit për parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ato vendgjahe janë eliminuar për shkak se si territor kanë mbetur brenda Parkut kombëtar, ku gjahu është i ndaluar.

“Kanë qenë më herët zonat e gjuetisë, por pas ligjit të parkut ato janë anuluar. Tash bëhet fjalë për pjesën e pyjeve jashtë zonës së parkut, që duhet të ndahen edhe një herë zonat e gjuetisë. Me këtë vendim që është sjellë, gjuetia komplet është ndaluar, derisa të përcaktohen zonat e gjuetisë. Tash na duhet ta formojmë një komision dhe të caktohet se ku mund të zhvillohet gjahu, në sa territor dhe çfarë kafshëve gjenden atje. Duhet të identifikohen edhe llojet e kafshëve që janë në ato zona. Për sivjet vështirë që do të ketë sezon të gjuetisë, pa u ndarë ato zona të vendgjuetisë”, thotë drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Mehdi Mulaj. Ai tregon se Komuna ia kishte bërë një kërkesë Ministrisë së Bujqësisë për t’ia dhënë pëlqimin për rithemelimin e vendgjaheve të përbashkëta.

“Jemi takuar edhe disa herë me ministrin dhe ky vendim tash është edhe rezultat i atyre takimeve. Kurse në mungesë të zonave të caktuara për gjueti, shoqatat e gjuetarëve kanë zhvilluar ilegalisht gjueti”, thotë Mulaj.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme