Arbëri

Kritikat për dështim, Lumezi i sheh si presion në punën e prokurorëve

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka akuzuar grupe të ndryshme, përfshirë ato politike, që, sipas tij, po tentojnë ta paraqesin si të dobët punën e Prokurorisë.

Komentet ai i ka bërë në Konferencën vjetore të prokurorëve, ku tha se nga këto grupe ka pasur edhe presione të ndryshme mbi këtë institucion.

Ai ka shtuar se megjithëkëtë, prokurorët asnjëherë nuk janë dorëzuar dhe kanë arritur që vetëm gjatë vitit 2019 t’i zgjidhin afër 80 mijë dosje penale të natyrave të ndryshme, raporton KTV.

Por, pavarësisht këtyre të arriturave që i paraqet Lumezi, shtetet e QUINT-it kanë thënë se nuk janë të kënaqura me luftimin e krimit dhe korrupsionit të profilit të lartë.

Ndërkaq, kjo deklaratë është hedhur poshtë nga presidenti Hashim Thaçi, sipas të cilit, Kosova ka përmbushur edhe kriterin e luftimit të krimit e korrupsionit.

E, sipas ministrit në detyrë të Drejtësisë, Abelard Tahiri, ndryshimet në Kodin Penal kanë ofruar mundësi për të luftuar e parandaluar krimin e korrupsionin.