Arbëri

Shërbimi Korrektues në Lipjan transferon të dënuarit para lirimit në qendër gjysmë të hapur

Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se me qëllim të zbatimit të programeve për risocializimin e të dënuarve dhe përgatitjen e tyre të paralirimit, ka filluar zbatimin e Rregullores së Brendshme për Transferimin e të dënuarve në pavijonin gjysmë të hapur në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

Sipas tyre, me këtë Rregullore, çdo person i dënuar, i cili është duke e vuajtur dënimin në Institucionet Korrektuese dhe është i vendosur në tretmanin e avancuar, mund të transferohet në pavijonin Gjysmë të Hapur, i cili është si njësi e veçantë në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

SHKK njofton se vendimin për transferimin e personit të dënuar e merr Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues me propozim të Drejtorit të Institucionit Korrektues ose në bazë të kërkesës së personit të dënuar apo të ndonjë anëtari të ngushtë të familjes.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës në bashkëpunim me të gjithë partnerët e Drejtësisë Penale dhe në përshtatshmëri të vazhdueshme me ligjet e aplikueshme në Kosovë, synon të korrektoj dhe ri socializoj të dënuarit, duke respektuar të drejtat e tyre fondamentale pa marr parasysh racën, gjuhën, religjionin si dhe të sigurojë ambient të sigurt për stafin, të dënuarit dhe shoqërinë”, thuhet tutje në njoftimin e dërguar mediave.