Në veri të Mitrovicës shënohet dyvjetori i vrasjes së Ivanoviqit

Në veri të Mitrovicës shënohet dyvjetori i vrasjes së Ivanoviqit

16 January 2020 13:28

Në veri të Mitrovicës të enjen u shënua dyvjetori i vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, i cili ka udhëhequr Nismën Qytetare "Liria, Demokracia, Drejtësia".

Në vendin e vrasjes u mbajtën dy ngjarje përkujtimore - njëra e organizuar nga Nisma e tij qytetare, tjetra nga familja.

Ksenija Bozhoviq, nënkryetare e Nismës "Liria, Demokracia, Drejtësia", tha se ende nuk dihet se kush e ka porositur dhe kush e ka kryer vrasjen e Ivanoviqit.

"Do të punojmë të gjithë së bashku që kjo vrasje të ndriçohet dhe që urdhëruesit e saj dhe kryesit e saj të dalin para drejtësisë", u tha Bozhoviq mediave.

Edhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse, para së gjithash prokurorisë dhe gjyqësorit, që sa më parë të gjejnë urdhëruesit e vrasjes.

Oliver Ivanoviq është vrarë më 16 janar të vitit 2018, para zyrës së partisë së tij në veri të Mitrovicës.

Më 2 dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë personave, në lidhje me këtë vrasje/REL.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme